Fotografi e armës së sekuestruar nga 25 vjeçari kosovar në pikën kufitare Morinë, Foto: Policia e Shtetit/ Facebook

Arrestohet 25 vjeçari në pikën kufitare në Morinë, u kap me armë pa leje

Një 25 vjeçar me inicialet D. D. nga Komuna e Istogut është arrestuar në pikën kufitare në Morinë.

Kjo pasi që të njëjtit policia kufitare i kishte gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri të tipit zastava dhe fishekë luftarak brenda çantës së të dyshuarit.

Policia e Shtetit kishte njoftuar se shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje.

“Si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, bazuar edhe në informacionet e marra nga Policia Kriminale e DVP Kukës, është kaluar në vijën e dytë për kontroll më të imtësishëm, mjeti tip “Citroen”, me drejtues shtetasin D. D., banues në Istog, Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Gjatë kontrollit të kryer në vijën e dytë, në çantën e dorës së këtij shtetasi, Policia Kufitare gjeti dhe  sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “Zastava”, me fishekë luftarak.

Në përfundim të veprimeve hetimore, Specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Kukës, bënë  arrestimin në flagrancë të shtetasit D. D., 25 vjeç, banues në Istog, Kosovë, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

“Specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Kukës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës, po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e personave të cilët i kanë shitur armën e zjarrit këtij shtetasi. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.