Policia e Kosovës Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Arrestohen personat që ushtruan dhunë në familje, shumica e viktimave në tretman mjekësor

Policia e Kosovës në raportin e fundit 24 orësh ka njoftuar për pesë raste të dhunës në familje.

Policia ka bërë me dije se tri raste të dhunës kanë ndodhur në Gjakovë, një në Prishtinë dhe një në Viti.

Policia ka arrestuar një të dyshuar në Prishtinë i cili ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Viktima sipas policisë ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Edhe në Viti është arrestuar një i dyshuar i cili ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

“Viktima së bashku me fëmijët është dërguar në familjen e prindërve të saj, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”- thuhet në raport.

Edhe në Gjakovë është arrestuar personi i dyshuar për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, e cila si pasojë ka pranuar tretman mjekësor.

“I dyshuari vuan nga sëmundjet mentale i cili po ashtu ka pranuar tretman mjekësor dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”- thuhet në njoftimin e policisë.

Në Gjakovë është kryer edhe një arrestim. Personi i arrestuar sipas policisë kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”- thuhet në njoftim.

Po ashtu, policia ka arrestuar një person i cili ka sulmuar fizikisht prindin e tij.

“I dyshuari ishte nën ndikim të alkoolit dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”- theksohet në raport.