Foto: Ilustrim

Arrestohen për sulm 10 persona, në mesin e tyre dy të mitur

Policia e Kosovës njofton se në Mitrovicë janë arrestuar 10 persona të dyshuar për sulm.

Sipas Policisë sot rreth orës 16:00, në stacionin policor “Jugu” në Mitrovicë, është raportuar  për një incident të ndodhur në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë, ku ishin përfshirë  disa persona.

Tutje Policia sqaron se nga hetimet fillestare bëhet e ditur se në këtë incident janë përfshirë  njëmbëdhjetë viktima dhe dhjetë persona të dyshuar, prej tyre dy të mitur, të cilët tanimë janë arrestuar.

“Incidenti raportohet të ketë ndodhur në kohen deri sa viktimat  ndodheshin pranë një zyre për shërbime dhe programe të Ministrisë së Bujqësisë, e cila ndodhet  në rajonin e Mitrovicës së  Jugut. Personave të përfshirë në këtë incident në cilësi të viktimave iu është ofruar tretman mjekësor, por të njëjtit kanë deklaruar se nuk kanë nevojë për tretman mjekësor”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Sipas komunikatës, të gjitha veprimet  hetimore i janë paraqitur dy prokurorëve të rastit të nacionalitetit serb, të cilët trajtojnë rastet për të mitur dhe të rritur, dhe rasti i iniciuar është duke u hetuar për veprën penale – sulm.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit 8 tetë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor, përderisa ndaj 2 personave të mitur rasti është duke u trajtuar.