Vendi i grabitjes në Suharekë, Foto: Bali Muharremaj/ Facebook

Arrestohen dy të dyshuar për rastin e grabitjes së argjendarisë në Suharekë

Dy persona janë arrestuar lidhur me rastin e grabitjes së armatosur të argjendarisë në Suharekë, ku mbeti i plagosur një polic, tri ditë më parë.

Dyshimet fillestare, sipas prokurores së rastit, Ervehe Gashi, janë se të arrestuarit dyshohen për ndihmë në kryerjen e veprës penale të grabitjes.

“Nuk e dimë a janë ata që e kanë kry veprën penale por dyshimet fillestare janë për ndihmë. Një është arrestu rreth orës 14, një rreth orës 15, nesër do të kërkojmë edhe caktimin e masës së paraburgimit” – tha prokurorja Gashi për KALLXO.com.

Nga grabitja ishin publikuar edhe pamje të disa personave të armatosur e me maska teksa po kryenin grabitjen në një local argjendarie në Suharekë.

Drejtori i Policisë në Prizren, Faton Alija kishte treguar për KALLXO.com nga vendi i ngjarjes zanafillën e nisjes së shkëmbimit të zjarrit mes policisë dhe grupit të dyshuar të grabitësve.

“Kanë kryer plaçkitjen e një sasie të konsiderueshme ndërkohë aty është ndalë me intervenu një patrullë e policisë, ende pa dalë nga automjeti, të dyshuarit kanë shkrepur në drejtim të policëve” – tregoi për KALLXO.com, drejtori Alija.

Tutje ai ka shtuar se në këtë ngjarje është plagosur një polic në këmbë.

“Ka lëndime të lehta. Policët i janë kundërpërgjigje sulmit nga grupi i dyshuar. Të njëjtit janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ajo çka dimë deri më tani është se vetura e dyshuar është me xhama të errësuar” – kishte thënë Alija.

Pas grabitjes, Policia në Prizrenit kishte aktivizuar edhe unazën e çeliktë.

Diaa ditë pas grabitjes, Policia kishte gjetur veturën që ishte përdorur për grabitje.