Arrestimi i mjekut të Podujevës, reagon Shoqata e Pulmologëve

Një mjek i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë është suspenduar përkohësisht nga puna dhe është arrestuar pasi dyshohet se nuk i ofroi shërbim një të moshuari.

Ndërlidhur me këtë ka reaguar sot Shoqata e Pulmologeve te Kosovës duke e quajtur akt të paprecedente, pasi që sipas tyre, është bërë pa u vërtetuar paraprakisht rrethanat dhe pa u sqaruar ngjarja në tërësi.

Në reagimin e tyre, Shoqata i bën thirrje autoriteteve përgjegjëse që sa meë parë ta lirojnë Dr. Ibrahim Hotin, dhe të kthehet menjëherë në vendin e tij të punës, në mënyrë që pacientët të mos privohen për asnjë moment nga trajtimi i nevojshëm.

“Veprime të tilla e denigrojnë personalitetin e mjekut dhe e dekurajojnë atë në luftën e përditshme kundër pandemisë COVID-19. Te gjithë punëtorët shëndetësor, sidomos ata që kanë qenë në ballë të luftës kundër pandemisë  gjatë muajve të fundit, kanë punuar jashtëzakonisht shumë, me orare të stërzgjatura dhe nën presione të paimagjinueshme, pa pushime vjetore dhe pa qenë të pranishëm te familjet e tyre”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, ai është i vetmi pulmolog ne institucionet publike shëndetësore te Komunës se Podujevës.

“Si përfundim, ne si Shoqatë kërkojmë që edhe nëse nuk e kemi përkrahjen e mjaftueshme, se paku na lejoni t’a kryejmë detyrën tonë gjatë këtyre kohëve të rënda”, përfundon reagimi.