Një mjek - Foto: REL/Shutterstock

Podujevë, ndalohet një mjek, dyshohet se nuk i dha ndihmë mjekësore një pacienti

Një mjek nga stafi mjekësor i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Podujevë është ndaluar me vendim të Prokurorisë së Prishtinës.

Sipas njoftimit, personi është ndaluar pasi nuk i ka dhënë ndihmë mjekësore një pacienti.

“Pas publikimit të pamjeve në media, lidhur me një rast i cili ka ndodhur sot, konkretisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë, ku disa pacientë nuk marrin shërbime shëndetësore nga ky institucion, Prokurori i Shtetit, menjëherë ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, duke iniciuar rastin si mosdhënia e ndihmës mjekësore”, thuhet në njoftim.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është intervistuar i dyshuari-mjeku me inicialet I.H., në drejtim të veprës penale të lartcekur dhe i njëjti është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.​

Gjatë ditës së sotme janë publikuar disa pamje të ku shihet një mjek i Qendrës Mjekësore Familjare në Podujevë derisa me zë të lartë i drejtohet një personi tjetër i cili kishte dërguar një familjar për trajtim mjekësor.

Mjeku i kishte thënë që të vinin ditën e nesërme për trajtim sepse nuk punon dy orare brenda QMF-së në Podujevë.