Suspendohet mjeku në Podujevë pasi nuk i ofroi ndihmë një të moshuari

Një mjek i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë është suspenduar përkohësisht nga puna pasi dyshohet se nuk i ofroi shërbim një të moshuari.

Siç ka njoftuar drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Podujevës, Driton Veliu.

“Lidhur me këtë rast, Këshilli Drejtues i QKMF-së dhe pas analizës së këtij rasti, Këshilli kanë vendosur që mjeku të suspendohet përkohësisht nga marrëdhënia e punës deri në një vendim të ri të Komisionit Disiplinor”, ka njoftuar ai në Facebook.

I njëjti, pak më parë është ndaluar edhe nga Prokuroria e Shtetit.

Podujevë, ndalohet një mjek, dyshohet se nuk i dha ndihmë mjekësore një pacienti

Ky është njoftimi i plotë i Driton Veliut:

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, ku shihet sjellja jo e mirë e një mjeku në QKMF në Podujevë ndaj një  pacienti të moshuar, është e papranueshme dhe nuk përkon as me etikën profesionale.

E kuptoj se personeli shëndetësor është lodhur e dërmuar nga situata që po kalojmë në ballafaqimin me COVID-19, kurse gjendjen e bën edhe më të rëndë mungesa e stafit mjekësor në QKMF, pas shkuarjes në specializim të 12 mjekëve. Mirëpo, tërë kjo nuk e arsyeton një sjellje të tillë të mjekut, aq më pak ndaj një pacienti të moshuar.

Lidhur me këtë rast, Këshilli Drejtues i QKMF-së dhe pas analizës së këtij rasti, Këshilli kanë vendosur që mjeku të suspendohet përkohësisht nga marrëdhënia e punës deri në një vendim të ri të Komisionit Disiplinor.

Duke shprehur keqardhje për këtë rast, jam i sigurt se kjo nuk e zbeh dhe nuk do të ndikojë në punën dhe angazhimin e stafit shëndetësor të QKMF në Podujevë në këtë periudhë pandemie në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.