Arkitekti Llonçari: Peja e ka humbur identitetin - VIDEO

Arkitekti, Xhelal Llonçari gjatë debatit #KallxoPernime për Planifikimin urban në Pejë, tha se ky qytet e ka humbur identitetin si shkak i ndërtimeve të reja.

Llonçari tha se vjetërsia 2 mijë vjeçare e Pejës nuk mund të shihet askund sot.

“Ajo çfarë më vret më shumë është që kur shkoj në Pejë, plani i mobilitetit të Pejës që është mbi dy shekuj e vjetër është i njëjtë me të Ferizajt që është diku 140 vjet i vjetër. Nuk mundeni me e pa kërkund që Peja është 2 mijë vjet, nuk ka vizion dhe pa pas vizion e ka hup identitetin”, tha ai.

Arkitekti Llonçari kërkoi nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri rikonstruktimin e Qarshisë së qytetit, pasi që e quajti të shëmtuar atë.

“Peja e ka pas kalanë, e di që nuk mundemi me e rikonstruktu por nuk ka një objekt kulturor në Pejë që do të mbante emrin e kalasë. Konstruktimi i Qarshisë është për turp e kanë bërë sendin më të shëmtuar. Për pamje më të mirë të qytetit duhet të largohen menjëherë barakat që janë të vendosura midis Korze”, tha ai.

Në debat ishin të ftuar, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, arkitekti Xhelal Llonçari, Naser Lajqi aktivist nga organizata ‘Syri i Vizionit’, si dhe Modest Gashi – arkitekt nga ‘UN HABITAT’.