Arben Vitia e Shpend Ahmeti diskutojnë për gjendjen e COVID-19 në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti së bashku me Ministrin e Shëndetësisë në detyrë Arben Vitia, janë takuar gjatë ditës së sotme për të diskutuar në lidhje me masat e ndërmarra për Prishtinë në lidhje me coronavirus.

Ka qenë vetë Kryetari Ahmeti i cili me anë të një postimi në Facebook ka treguar se Ministria e Shëndetësisë do të ndërmarrë vendime individuale për secilën komunë.

“Sot, në diskutim me Ministrin Arben Vitia, diskutuam për gjendjen në Komunën e Prishtinës dhe masat e ndërmarra nga Komuna dhe MSH për të parandaluar përhapjen e virusit. Përderisa deri më tani nuk kemi pas shpërthim në Prishtinë u pajtuam që ditët më të vështira na presin. Në mungesë të vendimit nga Kuvendi i Republikës, ministria e Shëndetësisë do të merr vendime individuale për secilën komunë. Masat e restriksioneve prej orës 17-06 do të vazhdojnë edhe pas të hënës”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Në Kosovë aktualisht janë 227 raste të konfirmuara me coronavirus. 30 nga ta janë të shëruar ndërsa janë shënuar edhe 7 viktima.