Antigona Baxhaku emërohet këshilltare e kryeministrit Hoti për komunikim me mediat

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka emëruar Antigona Baxhakun si këshilltare politike, që njëkohësisht do të jetë edhe drejtore e Zyrës për Komunikim me Publikun në Zyrën e Kryeministrit.

Hoti ka deklaruar se emërimi i saj do të jetë vlerë e shtuar për Qeverinë.

“Antigona do të jetë Këshilltare Politike dhe Drejtore e Zyrës për Komunikim me Publikun në Zyrën e Kryeministrit. Me veprimtarinë e saj 22 vjeçare në jetën publike, me theks të veçantë në jetën mediale, konsideroj se ajo do të jetë një vlerë e shtuar për Qeverinë e Kosovës, duke qenë urë e fuqishme komunikimi dhe bashkëpunimi me mediat”, ka shkruar Hoti në rrjetin social “Facebook”, të mërkurën.

Ai ka theksuar se mediat do të jenë më afër se kurrë me Zyrën e Kryeministrit, pasi që sipas tij, “Antigona me eksperiencën dhe gatishmërinë e saj do të jetë adresa adekuate e informimit të saktë e të shpejt”.

Gazetarja Antigona Baxhaku ka shërbyer si këshilltare politike edhe e ish-Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Bazuar në dokumentin që KALLXO.com ka siguruar numri i këshilltarëve të Hotit ka arritur në 24.