Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ: Do të ruajmë kutitë e votimeve që kanë dallim në vota pas rinumërimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka miratuar rekomandimin për ruajtjen e kutive të vendvotimeve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2021, që kanë dallim në vota pas rinumërimit.

Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së dhe kryesues i Këshillit për Operacione Zgjedhore tha se nga këto kuti disa janë në procese gjyqësore e për disa do të iniciohen rastet nga KQZ dhe sekretariati për mospërputhje.

Elshani tha se janë rreth 1 mijë e 500 kuti që do të ruhen dhe që datojnë në disa vite.

“Rekomandim për ruajtjen e kutive të votimit të vendvotimeve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2021, që kanë dallim në vota pas rinumërimit. Këto kuti që do të ruhen datojnë që nga viti 2013, 2017, 2019, 2021, 2012 dhe 2014 që në total janë rreth 1 mijë e 500 kuti që do të ruhen disa prej të cilave janë në procese gjyqësore dhe 418 të cilat tash do të iniciohen nga KQZ dhe sekretariati për shkak se kanë mospërputhje. Ky është rekomandimi që gjitha këto kuti të ruhen”, tha ai.

KQZ-ja gjithashtu ka miratuar edhe rekomandimin për asgjësimin e materialit zgjedhor ku bëhet fjalë për rreth 2 mijë e 500 kuti të votimit për të cilat kanë përfunduar hetimet dhe ka vendime të formës së prerë.

“Është rekomanduar të asgjësohen vendvotimet e zgjedhjeve të vitit 2010, 2011 dhe të 2021 për të cilat ka përfundu gjitha hetimet dhe që ka vendime të formës së prerë. Bëhet fjalë për rreth 2 mijë e 500 kuti të votimit të cilat duhet të asgjësohen dhe do të lirohet një hapësirë e madhe e QNR-së për të punuar në ato hapësira”, tha Elshani.

Sipas tij nga këto kuti do të ruhen pakot e votimit me material të pa përdorur zgjedhor në mënyrë që të përdoren në trajnim, do të ruhen vulat zyrtare të fletëvotimeve, etj.