Analisti komenton emërimet në AKI: AAK dhe PDK po e vazhdojnë kapjen e shtetit

Analisti politik, Blerim Vela, ka reaguar pas vendimit të kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe Presidentit Hashim Thaçi për emërimin e Kreshnik Gashit në postin e drejtorit të AKI-së dhe Burim Ramadanit në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.

Sipas tij, më këtë vendim, AAK dhe PDK po e vazhdojnë kapjen e shtetit, edhe pse i humbën zgjedhjet e 6 tetorit.

“Politizimi i institucioneve shtetërore ishte arsyeja pse PDK dhe AAK i humbën zgjedhjet, por këto parti po e vazhdojnë kapjen e shtetit edhe në periudhën pas zgjedhore me marrëveshje 50-50 për ndarjen e pozitave udhëheqëse në AKI!”, ka shkruar Vela në Facebook.

Ai ka thënë se emërimi i sotëm ‘tregon sa pak integritet kanë politikanët e gjeneratës së “cubokracisë”.

Blerim Vela

Tutje analisti politik, Vela ka thënë që i takon qeverisë Kurti-Mustafa që ta ‘çlirojë’ vendin.

“Qeveria e re LVV dhe LDK duhet të “çlirojnë” secilin institucion publik nga aparatciket politik dhe të lejojnë profesionistet që janë besnik vetëm ndaj interesit shtetëror dhe Kushtetutës ti udhëheqin ato”, ka theksuar Vela.

Sot kryeministri në largim ka bërë të ditur që ka emëruar Kreshnik Gashin në postin e drejtorit të Agjencioni Kosovar për Inteligjencë (AKI), ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.

Ky vendim i Haradinajt vie 20 ditë që nga dorëheqja e Shpend Maxhunit nga posti i drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Drejtori i sapoemëruar, Kreshnik Gashi ka qenë Sekretar Permanent në Ministrinë e Punëve të Jashtme në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Hashim Thaçi. Së fundi, ai ka qenë kryetar i Bordit të ARKEP-it. Ndërsa Burim Ramadani është drejtues i lartë në AAK. Së fundi ka qenë Zëvendës Ministër i Mbrojtjes dhe kandidat i AAK-së për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Shpend Maxhuni, Drejtor i ri i AKI-së