Njerëz të politikës në AKI, Haradinaj prezanton drejtorin dhe inspektorin e përgjithshëm
Pak ditë pasi mbeti pa kreun e saj, Agjencioni Kosovar për Inteligjencë (AKI) është bërë me drejtues të rinj.
Kanë kaluar pothuajse 20 ditë që nga dorëheqja e Shpend Maxhunit nga posti i drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.
Lajmin për dorëheqjen e kishte bërë publike Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, i cili sërish gjatë ditës së sotme bëri publike edhe emërimet e reja.
Në krye të AKI-së, është vendosur Kreshnik Gashi, e në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së është vendosur njeriu i AAK-së, edhe zëvendësministri në detyrë, Burim Ramadani.
Gashi ka qenë Sekretar Permanent në Ministrinë e Punëve të Jashtme në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Hashim Thaçi. Së fundi, ai ka qenë kryetar i Bordit të ARKEP-it. Ndërsa Burim Ramadani është drejtues i lartë në AAK. Së fundi ka qenë Zëvendës Ministër i Mbrojtjes dhe kandidat i AAK-së për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.
“Në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore dhe në bashkërendim me Presidentin, sot kam emëruar, Kreshnik Gashi, në postin e Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së. Profilet e të emëruarve, si figura publike me integritet dhe ekspertë për siguri, garantojnë profesionalizmin dhe kredibilitetin e AKI-së”, ka njoftuar Haradinaj me anë të një postimi në Facebook, ku i ka bashkëngjitur edhe një fotografi me të dy personat e lartpërmendur.
Më 6 nëntor të këtij muaji, Shpend Maxhuni dha dorëheqje nga posti i drejtorit të AKI-së pa dhënë arsyet e kësaj dorëheqjeje.