Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ambasadori Rohde uron kosovarët për pranimin e kërkesës për në KE dhe për liberalizim të vizave, kërkon zbatim të Asociacionit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se vendimi i javës së kaluar për liberalizimin e vizave dhe vendimi i komitetit të ministrave për ta pranuar aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës e sjellin Kosovën më afër familjes evropiane.

Përmes një postimi në Twitter, diplomati gjerman ka thënë se pas këtyre zhvillimeve është kruciale zbatimi marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ashtu siç është dakorduar në Ohër më 18 mars.

“Urimet e mia për të gjithë kosovarët! Vazhdimi i zbatimit të Ohrit duke përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe është kruciale për të ecur përpara”- ka shkruar ai.

Sot, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës në një mbledhje të jashtëzakonshme mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.

Ndërsa javën e kaluar u vendos përfundimisht që qytetarëve të Kosovës t’u hiqen vizat.

Më 2 maj është paralajmëruar që në Bruksel të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, takim i cili do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Në këtë takim është paralajmëruar se mund të prezantohet një draft i Asociacionit.

Në Ohër më 18 mars Kosova dhe Serbia janë dakorduar për aneksin e zbatimit të Planit të Bashkimit Evropian.

Aneksi kërkon që Kosova sa më shpejt të fillojë hapat për formimin e Asociacionit.

Dakordimi i Ohrit, çka pas formimit të Komitetit të përbashkët monitorues?