Ambasadori i Ukrainës në Britaninë e Madhe, Vadym Prystaiko - Foto: BBC

Ambasadori i Ukrainës në Britani: Jemi të shqetësuar se çfarë ka në mendje Putini

Ambasadori i Ukrainës në Britaninë e Madhe, Vadym Prystaiko ka thënë se është jashtëzakonisht i shqetësuar për planet e liderit rus Vladimir Putin për vendin e tij.

Duke folur mbrëmë në programin Newsnight të BBC-së, Vadym Prystaiko tha se përshkrimi i Putinit për Ukrainën si “një gabim historik që duhet rregulluar” ishte alarmues.

“Duhet të shqetësoheni për atë që ai ka në mendje”, tha Prystaiko.

Putin u akuzua se kishte shkruar versionin e tij të historisë gjatë një fjalimi një orë të së hënës në mbrëmje, në të cilin ai bëri një sërë akuzash të rreme kundër Ukrainës dhe vuri në pikëpyetje statusin e saj si një vend.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar të hënën dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Putin ka urdhëruar Ministrinë ruse të Mbrojtjes të dërgojë trupat ruse në rajonet lindore të Ukrainës, sipas një dekreti të publikuar të hënën, pasi Moska ka njohur pavarësinë e tyre.

Putin ka nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore si Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura, duke sfiduar paralajmërimet e Perëndimit se hapa të tillë do të jenë ilegalë dhe do të shkatërrojnë negociatat për paqe.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, do të miratojnë të martën pasdite sanksione kundër Rusisë lidhur me njohjen dhe veprimet e saj në rajonet separatiste ukrainase, tha shefi i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell.