Foto: REL/RFE

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë me deklaratë, përmend aksionet e policisë për konfiskimin e dinarit

Ambasadori i SHBA-së në Kosovës, Jeffrey Hovenier, vendimin për dinarin e kanë konsideruar si veprim që panevojshëm është duke rritur tensione ndëretnike.

Në një deklaratë të ambasadorit amerikan janë përmendur edhe aksionet e Policisë së Kosovës të realizuara sot për konfiskimin e dinarit serb.

“Ne po ashtu jemi të shqetësuar nga aksionet e Policisë së Kosovës sot për të konfiskuar dinarin serb dhe automjetet që e transportonin atë për të shpërndarë pagesën e përfitimeve sociale nga Serbia. Ne presim që autoritetet e Kosovës të sigurojnë që personat për të cilët ishin këto pagesa t’i pranojnë pa vonesa” – thuhet më tutje.

Hovenier ka ripërsëritur kërkesën për të shtyrë zbatimin e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës duke u shprehur i shqetësuar me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për të cilat ka thënë se kanë efekte të drejtpërdrejta dhe negative te qytetarët e komuniteti serbë në Kosovë.

“Këto veprime panevojshëm janë duke rritur tensione ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet e SHBA-së për të shërbyer si një avokues efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare” – thuhet në deklaratë.

 

Në deklaratën e ambasadorit amerikan janë renditur edhe operacionet në zyrat e institucioneve të administruara nga Serbia në disa qytete të Kosovës.

“Ato përfshijnë operacione të ndërmarra nga Policia e Kosovës nën drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë javëve të fundit në zyrat e institucioneve të administruara nga Serbia në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, po ashtu te zyra e OJQ-së “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” në Prishtinë” – vazhdon deklarata.

Ndërsa për çështjet e lidhura me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë, ata kanë potencuar në deklaratë se “duhet të zgjidhen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”.

Deklarata e plotë e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier:

Qeveria e SHBA-së është shumë e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë efekte të drejtpërdrejta dhe negative te qytetarët e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera jo shumicë në Kosovë. Këto veprime panevojshëm janë duke rritur tensione ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet e SHBA-së për të shërbyer si një avokues efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Ato përfshijnë operacione të ndërmarra nga Policia e Kosovës nën drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë javëve të fundit në zyrat e institucioneve të administruara nga Serbia në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, po ashtu te zyra e OJQ-së “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” në Prishtinë. Ne po ashtu jemi të shqetësuar nga aksionet e Policisë së Kosovës sot për të konfiskuar dinarin serb dhe automjetet që e transportonin atë për të shpërndarë pagesën e përfitimeve sociale nga Serbia. Ne presim që autoritetet e Kosovës të sigurojnë që personat për të cilët ishin këto pagesa t’i pranojnë pa vonesa.

Është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës që të promovojë vizionin e përcaktuar në themelimin e saj në deklaratën e pavarësisë së saj dhe në Kushtetutë: një demokraci multietnike që është përgjegjëse për shqetësimet e të gjithë qytetarëve të saj. Çështjet e lidhura me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të zgjidhen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ne po ashtu e ritheksojmë kërkesën tonë që Kosova të shtyjë hyrjen në fuqi të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovë për operacionet me para të gatshme derisa janë ndjekur procedura të kënaqshme në linjë me standardet europiane dhe derisa popullsia të jetë mjaftueshëm e informuar rreth asaj se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre.

Vendet e QUINT-it kanë bërë thirrje për shtyrje të këtij vendimi ndërsa Ndërkohë, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë të gjatë tranzicioni për largimin nga përdorimi të dinarit serb.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se zbatimi i rregullores për transaksionet me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtë dhe se nuk do të ketë gjoba për posedimin e valutave të vendeve të tjera.

Më 31 janar 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se përcaktimi i valutës Euro si mjet i pagesës në Kosovë nuk është çështje e negociueshme.

Kurti ka deklaruar se Euro është e vetmja valutë e shkëmbimit dhe e shitblerjes në Kosovë.

“Ne nuk po dëshirojmë që të ndëshkojmë askënd, por vetëm të sjellim ligjshmëri, kushtetuteshmëri dhe rregullsi, edhe në veriun e Kosovës edhe gjithandej ku ka serbë në Kosovë, i cili është një komunitet që po ashtu mua më ka kryeministër e Ahmet Ismajlin e ka guvernator” – ka thënë Kurti.

Kryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Zlatan Ellek, ka thënë se ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbimin e serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe” nga territori i Kosovës, raporton REL.

Duke folur në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut, Ellek theksoi se të gjithë ata që gëzojnë të hyra nga Serbia janë në rrezik dhe se rreth 100 mijë serbë në Kosovë do të preken drejtpërdrejt nga vendimi i autoriteteve kosovare për ta ndaluar përdorimin e dinarit serb.

“Kjo vlen për të gjitha institucionet që funksionojnë në sistemin serb, pensionistët, përfituesit e përfitimeve sociale, studentët, bursistët. Pra, i gjithë populli serb”, tha Eleku.

Sipas REL, Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”.

Në rregulloren e BQK-së u tha se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë është e drejtë ekzekutive e saj.