Kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori amerikan Philip Kosnett - Foto: Arkiv ZKM

Ambasadori amerikan uron Kurtin për qeverinë e re

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka uruar kryeministrin e ri Albin Kurtin për formimin e qeverisë së re.

Kosnett ka shkruar se shpreson që me Kurtin të punojnë së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes e që urgjentisht të punojë për të mposhtur pandeminë.

“Urime kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverinë e Re. Ne shpresojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës – dhe, më urgjentisht, për të mposhtur COVID-19. #Mbanimaskën”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 67  vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim kanë votuar dje për Qeverinë e re të vendit.

Po ashtu dje është konstituar legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës. Kryetar Kuvendi është zgjedhur Glauk Konjufca me 69 vota.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt 2021.

Në këto zgjedhje LVV-ja së bashku më listën ‘Guxo’ të Vjosa Osmanit u rendit e para me 438 mijë e 335 vota apo 50,28%.