Ilustrimi: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Ilustrimi: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Ambasada e Kosovës në Tiranë shpenzoi për derivate më shumë se misionet në qendrat botërore

Më shumë ka harxhuar shteti për t’i paguar shpenzimet për derivate të Ambasadës në Tiranë, të udhëhequr nga Skënder Durmishi, sesa për derivatet e shpenzuara nga misionet diplomatike që i ka Kosova në qendrat botërore: New York, Paris dhe Londër.

Sipas të dhënave të ofruara nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me kërkesë të Kallxo.com për qasje në dokumente publike, rezulton se për derivatet të ambasadës në Tiranë gjatë vitit 2023 janë dhënë nga arka e shtetit 5 mijë e 95 euro e 97 centë.

Në krahasim- për derivatet e shpenzuara nga stafi diplomatik në New York janë harxhuar 3 mijë e 7 euro e 32 centë; për atë të ambasadës në Londër, 3 mijë e 364 euro e 34 centë; dhe për atë në Paris 4 mijë e 1 euro e 20 centë.

Në kuadër të shpenzimeve për diplomaci, Kosova ka paguar 17 mijë e 136 euro në vitin 2023 për qiranë e rezidencës së ambasadorit Durmishi, që i bie diku rreth 1 mijë e 500 euro në muaj.

Bazuar në përditësimet e fundit të “Livingcost”, që bënë krahasimin e kostove të jetesës dhe çmimeve nëpër botë, kostoja mesatare e jetesës në Tiranë del të jetë 919.43 euro, që konsiderohet të jetë afër kostos mesatare të jetesës në botë. Për një person llogaritet që qiraja dhe shpenzimet të jenë 406.47 euro, ndërkaq për një familje katër anëtarëshe 742.29 euro.

2 mijë e 139 euro e 40 centë ka qenë paga e Durmishit në vitin 2023, ndërsa 1 mijë e 200 euro sigurimi shëndetësor.

Ndërsa për drekat zyrtare të Durmishit dhe stafit të tij, janë shpenzuar 8 mijë 668 euro e 84 centë, që rezulton të jenë më shumë se shpenzimet për dreka zyrtare të Ambasadës së Kosovës në Romë, e cila ka shpenzuar 8 mijë e 249 euro e 46 centë, dhe më shumë se shpenzimet e Ambasadës së Kosovës në Kanberra që përthekojnë vlerën 606 euro e 82 centë.

Për shpenzimet e telefonit të Skënder Durmishit, janë paguar 559 euro e 20 gjatë vitit 2023, apo rreth 300 euro më shumë se sa për shpenzimet e telefonisë mobile që i ka bërë konsulli i Kosovës në New York, Blerim Reka.

Skënder Durmishi është ambasador i Kosovës në Tiranë që nga viti 2021.