Ambasada britanike: Deklarata e Vuçiqit dëmton mundësitë për pajtim dhe kthimin në dialog

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili masakrën e Reçakut e ka quajtur “trillim të William Walkerit”.

Në reagim, Ambasada britanike thekson se mbështet deklaratat e BE-së dhe UNMIK-ut të cilët kanë kërkuar që të balancohet liria e shprehjes me përgjegjësinë politik.

“Përfaqësuesit nga të gjitha palët kanë përgjegjësi që të përmbahen nga retorika e dëmshme dhe provokative, që është mosrespektuese ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, dhe dëmton mundësitë për pajtim dhe kthimin në dialog”, thuhet në reagimin në Facebook,

Tutje në reagim thuhet që presin që institucionet gjyqësore në Prishtinë do të ndjekin procesin e duhur në trajtimin e të gjitha çështjeve në mënyrë transparente, pa paragjykime etnike.

Të enjten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka reaguar pasi Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai e ka quajtur trillim masakrën e Reçakut duke thënë se dënimi i tij është i frikshëm.

“Është e frikshme. Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë, dhe unë e përsëris tani – krimin e fabrikuar në Reçak, ku gjithçka u falsifikua nga ai mashtrues me flokë të bardhë, një mashtrues si Walker, një mashtrues”, tha Vuçiq para gazetarëve, raporton b92.

Pas kësaj deklarate të Vuçiq ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Kosovë, e cila ka kërkuar kujdes në gjykimet në lidhje me deklaratat që jepen për masakrën e Reçakut.

Edhe Ambasada e Zvicrës dhe Fondi për të Drejtën Humanitare kanë dënuar deklaratën e Vuçiqit për Masakrën e Reçakut.

Deklarata për masakrën e Reçakut, Vuçiq mund të përballet me Prokurorinë Speciale të Kosovës