Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar uron Kosovën në 12 vjetorin e pavarësisë

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka uruar Kosovën në 12 vjetorin e pavarësisë.

Kjo ambasadë ka kujtuar kohën kur Kosova u përball me Anglinë në futboll dhe tifozët e huaj hasën në mikëpritje të jashtëzakonshme.

“Gëzuar ditëlindjen e 12-të Kosovë. Gjatë vitit të kaluar edhe një herë ti i ke treguar botës mikpritjen tënde të mrekullueshme, gjatë lojës së parë të futbollit në mes Kosovës dhe Anglisë, në Prishtinë”, thuhet në urimin e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar.

Ata kanë përmendur edhe ndihmat e Kosovës pas tërmetit shkatërrues në Shqipëri.

“Dhe përsëri ke treguar zemrën tënde të madhe, kur pas tërmeteve në Shqipëri shkove me shpejtësi në ndihmë të atyre që ishin në nevojë të madhe. Marrëdhëniet tona janë ndërtuar përmes historisë dhe vazhdojnë të rriten”, thuhet tutje në urim.

Britania e Madhe është zotuar për partneritet me shtetin e Kosovës.

“Mbretëria e Bashkuar do të jetë partneri yt, përderisa zhvillohesh dhe përparon për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe për stabilitetin e rajonit”, thuhet në urimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe.

Kosova sot feston 12 vjetorin e pavarësisë, ndërsa që nga ora 8:00 e mëngjesit ka filluar agjenda shtetërore për shënimin e datës më të rëndësishme të shtetësisë.