Tërheqja e britanikëve nga rekrutimi për Komisionerin për Privatësi, 'humbje e pakompensueshme'

Kuvendi i Kosovës me përmbylljen e sesionit pranveror kishte dështuar të zgjedh Komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Nga tre kandidatët Bujar Sadiku, Krenare Sogojeva- Dermaku dhe Muharrem Mustafa që ishin në garë asnjëri nuk kishte arritur që ta marr mandatin.

Me këtë rast Abasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ishte shprehur e zhgënjyer me dështimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të emëroj Komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi më 14 gusht.

Prandaj edhe ishin tërhequr nga mbështetja e rekrutimit për Komisionerin për Privatësi.

“Mosemërimi i asnjërit prej tyre vë në dyshim zotimin e deklaruar të partive politike për të zbatuar Memorandumin e Mirëkuptimit me Ambasadën Britanike, por ç’është më e rëndësishmja, dërgon sinjal negativ për profesionistët e pavarur në Kosovë dhe shpresat e tyre për të kontribuar në Institucionet e Kosovës. Çdo emërim publik do të duhej të marr parasysh vetëm interesat e vendit dhe të qytetarëve të tij, dhe jo interesin e ngushtë partiak”, thuhej në njoftimin e ambasadës.

Ambasada në reagim kishte thënë se nuk do t’i çojnë poshtë paratë e tatimpaguesve britanikë në proceset e përsëritura që ishin transparente dhe të zhvilluara me rregull, dhe që nxorën kandidatë që i plotësojnë kushtet për emërim.

Kallxo.com, ka kërkuar përgjigje nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani për të kuptuar se a ka biseduar me ambasadën dhe a e rrezikon kjo memorandumin që Kuvendi e ka nënshkruar me Ambasadën e Britanisë për pozitat e larta drejtuese.

Faton Peci, këshilltar politik i kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, përmes e-mailit, ka thënë se deputetët fatkeqësisht nuk kanë marrë për bazë rekomandimet e ekspertëve britanik dhe as kërkesen e ambasadës drejtuar deputetëve, e cila është lexuar nga kryetarja.

Sipas tij qysh në momentin e nënshkrimit të memorandumit, Kryetarja e Kuvendit ka bërë thirrje të respektohet ai përkushtim nga të gjithë deputetët, me qëllim të rritjes së transparencës dhe meritokracisë.

“Vlerësojme se ky është një hap prapa për institucionet e Republikës së Kosovës në respektim të meritokracisë dhe përzgjedhjen e profesionisteve të pavarur në institucione dhe agjenci të pavarura. Mirëpo, pavarësisht kësaj, ne do të angazhohemi që memorandumi i bashkëpunimit të vazhdojë dhe që kjo praktikë e keqe të mos përsëritet asnjëherë. Por, kjo përfundimisht varet nga vullneti i deputetëve për të respektuar profesionalizmin e meritokracinë”, thuhet në përgjigjje.

Peci ka shkruar se para se të procedohet me votimin e Komisionerit ne Kuvend, kryetarja e Kuvendit ju ka shpërndarë të gjithë deputetëve letrën e ambasades Britanike, përmes së cilës janë shprehur vleresimet për këtë proces.

“Kryetarja i ka njoftuar edhe përgjate seancës të gjithë deputetët, që është obligim instutucional i shprehur edhe përmes nënshkrimit të MoU me ambasaden Britanike që në procesin e përzgjidhjes të japin përkrahjen për kandidatin me numrim më të lartë të vlersuar nga britanikët”, thuhet në përgjigje.

Sipas tij, deputet gjatë gjithë këtij intervali kohorë kanë qenë të njoftuar edhe për rrezikun e humbjes së fondeve nga BE nëse nuk zgjedhet Komisioneri dhe për këtë sipas tij Osmani i ka njoftuar deputetet tri herë rradhazi përgjatë seancës.

“Kryetarja gjatë seancës plenare, të datës 14 gusht ka bërë thirrje tek deputetët të respektojnë meritokracinë dhe të votojnë në përputhje me vlersimin e bërë nga kompania e përzgjedhur nga ambasada Britanike”, thuhet tutje.

Grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës, LDK, PDK dhe AAK, nuk kanë dhënë qëndrim për Kallxo.com, lidhur me këtë ngjarje përveç Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Grupit Parmalentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë për Kallxo.com se e kanë vleresuar si shumë të nevojshme zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtjen e të dhënave personale dhe Privatësi.

Selimi tha se grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendisje, ka marrë pjesë në të gjitha raundet e votimit në seancë.

“Kandidatja që ne e kemi votuar ka qenë Krenare Sogojeva- Dermaku. Nga 31 deputetët që i ka grupi ynë parlamentar në Kuvend kemi marrë pjesë pothuajse të gjithë, përveç 1 që ka qenë jashtë vendit”, tha Selimi.

Selimi fajin e hedh te LDK-ja për mos zgjedhjen e komisionerit.

“Është për të ardhur keq që në raundin e fundit kur duhej dhe mund të zgjidhej komisiomeri, këtë e pamundësoi GP i LDK-së duke e prishur me qëllim kourumin e nevojshem për votim dhe kështu tash i gjithë procesi kthehet në pikën zero”, tha Selimi.

Selimi tha se moszgjedhja e Komisionerit është një humbje tashmë e pakompensueshme.

“Ka rreth 5 vite që AMTPP ka ngelur pa udhëheqës dhe zgjedhjen e Komisiomerit e kemi vlerësuar si shumë të rëndësishem. Përderisa mbrojtja e të dhënave personale dhe e privatësisë është një sfidë globale, Kuvendi i Kosovës nuk është në gjendje as ta zgjedh një Komisioner tash e me shumë se 5 vite”, tha ai.

Selimi tha se tashmë janë humbur edhe rreth 2 milionë euro donacion për këtë agjenci e poashtu edhe mbeshtetjen britaneze që ka qenë shumë e madhe dhe e rëndësishme.

“Shpresoj që nuk e kemi humbur edhe  gjithë mbeshtetjen që Ambasada Britaneze i jep Kuvendit me të cilin ka të nënshkruar një memorandum bashkëpunimi”, tha ai.

Kallxo.com, ka kontaktuar edhe me grupet e tjera parlamentare me LDK-në PDK-në, AAK-në, mirëpo nuk ka marrë përgjigjje.

Bedri Hamza shef i grupit parlamentar të PDK-së, tha se ka qenë jashtë vendit dhe se nuk është në rrjedhë për këtë temë.

Kuvendi i Kosovës në korrik kishte nënshkruar memorandum me Ambasadën e Britanisë së Madhe për pozitat e larta drejtuese.

Për disa vite radhazi britanikët kanë monituruar proceset e rekrutimeve të pozitave të larta nëpër institucionet publike. BIRN ka qenë pjesë e monitorimeve në shumë institucione publike gjatë përzgjedhjes së kanditatëve në pozita të larta. LINK

Ndryshe, konkursi për përzgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, është përsëritur 3 herë.

Sipas Lëvizjes FOL Procesi i përzgjedhjes së Komisionerit/es është mbështetur nga projekti i Ambasadës Britanike “Rekrutimet e pavarura, llogaridhënëse, meritokratike dhe profesionale në Kosovë”.

Sipas FOL, pas procesit të plotë të përzgjedhjes, ky projekt ka vlerësuar kandidaten Krenare Sogojeva Dermakun me më së shumti pikë (27 pikë).