Ilustrim

Raporti i ekspertëve britanikë për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 vlerëson të nevojshëm reformimin votimit jashtë Kosovës

Një grup ekspertësh elektoralë nga Britania e Madhe kanë vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovë të mbajtura më 14 shkurt 2021, pavarësisht nga sfidat, konsiderohen si zgjedhjet më pak problematike të mbajtura deri më tani në Kosovë.

Raporti 100 faqësh jep detaje për gjetjet e ekspertëve birtanikë. Gjetjet e këtij raporti tregojnë se afati i shkurtër për mbajtjen e zgjedhjeve, polemikat politike dhe gjyqësore që rezultuan me zgjedhje, si dhe pandemia Covid-19 nënkuptonte që sistemi zgjedhor ishte nën një presion.

Po ashtu në raport theksohet se për shkak të pandemisë, prania e vëzhguesve ndërkombëtarë ishte e kufizuar, dhe vëzhguesit vendas u detyruan gjithashtu ta reduktonin praninë e tyre.

Tutje në raport thuhst se “Këto rrethana paraqitën sfida të mundshme për pranimin e legjitimitetit të rezultateve dhe identifikimin e përmirësimeve teknike të kërkuara në zgjedhjet e ardhshme”.

“Në partneritet me Ambasadën Britanike në Prishtinë, WFD ngarkoi një ekip prej katër ekspertësh ndërkombëtarë të zgjedhjeve dhe tre këshilltarëve kombëtarë për të analizuar procesin zgjedhor. Misioni i ekspertëve ka qenë operativ nga 25 janari deri më 19 mars 2021. Ky raport paraqet gjetjet dhe rekomandimet e tyre”, thuhet tutje në raportin e ekspertëve britanikë.

Gjetjet kryesore

Pavarësisht nga sfidat, zgjedhjet u konsideruan nga shumë si zgjedhjet më pak problematike të mbajtura deri më tani në Kosovë. Disa nga gjetjet kryesore janë si më poshtë.

Zgjedhjet, të cilat u fituan nga Lëvizja Vetëvendosje konsiderohen si një pikë kthese. Për herë të parë, është zgjedhur një qeveri e cila nuk përfshin asnjërën nga dy partitë e mëdha tradicionale, LDK (Lidhja Demokratike e Kosovës dhe PDK (Partia Demokratike e Kosovës.

Ekzistonin shqetësime në lidhje me dominimin e vazhdueshëm njëpartiak të Listës Srpska (SL) në komunitetin Serb të Kosovës dhe një përpjekje të LS për të përdorur përfaqësues nga partitë tjera për të siguruar ulëse të rezervuara për komunitetet e tjera jo-shumicë.

Procedurat për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës kanë nevojë për reformim.

Disa vendime të Komisionit Qendror Zgjedhor, pjesërisht për shkak të paqartësisë në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, u panë si të politizuara dhe objekt kritikash nga politikanët kryesorë, dhe

Rregulloret që kanë të bëjnë me shëndetësinë në Kosovë për të frenuar përhapjen e Covid-19 u injoruan kryesisht nga partitë politike gjatë fushatave të tyre elektorale si dhe në ditën e zgjedhjeve.

Raportin e plotë në gjuhën angleze mund ta lexoni duke klikuar në LINK

 

Përgatiti: Nuhi Shala – KALLXO