Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Deklarata për masakrën e Reçakut, Vuçiq mund të përballet me Prokurorinë Speciale të Kosovës

Deklarata se “masakra e Reçakut është një trillim dhe është sajuar nga William Walker”, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund t’i kushtojë me përballje me Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Kjo pasi që për një deklaratë të tillë sot Gjykata e Prishtinës e dënoi me dy vjet burgim ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Ivan Todosijeviq.

Ai është gjetur fajtor për një deklaratë të dhënë vitin e kaluar me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, kur forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Një deklaratë të njëjtë sot e ka dhënë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke i dalë në mbrojtje Todosijeviqit.

“Është e frikshme. Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë, dhe unë e përsëris tani – krimin e fabrikuar në Reçak, ku gjithçka u falsifikua nga ai mashtrues me flokë të bardhë, një mashtrues si Walker, një mashtrues”, tha Vuçiq sot para gazetarëve, raporton b92.

KALLXO.com ka kontaktuar prokurorin special, Atdhe Demaj, i cili po ashtu ka qenë prokuror në rastin e Ivan Todosijeviqit, për ta pyetur se çfarë do të ndërmerret ndaj Presidentit serb për deklaratën e tij të sotme.

Demaj tha se për këtë çështje do të diskutojnë me U.D. Kreprokurorin Special, Afrim Shefkiu.

“Kjo çështje shkon përmes Kryeprokurorit të Shtetit, s’mundem m’i marrë të gjitha vetë. Ajo duhet të shkojë në koordinim me Kryeprokurorin. Të shohim se çka ka qenë, por se a ka me pasë a jo nuk mundem me ditë pa e pa se çka është puna. Ne kemi juridiksion por nuk është çështja që vetëm unë vendos”, tha ai për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, më saktësisht neni 147, thotë se: “Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje ose mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike apo grupe tjera të tilla që jetojnë në Republikës e Kosovës, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet”.

Në korrik të këtij viti, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Sipas Prokurorisë Todosijeviq në cilësi të ministrit me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se Todosijeviq në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, ka thënë se masakra e Reçakut ishte trillim.

Në anë tjetër, deklarata e Vuçiqit ka nxitur reagime në vend.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se mohimi i krimeve serbe në Kosovë pengon pajtimin dhe paqen mes dyja vendeve.

“Unë shoh zyrtarë nga #Serbia që mohojnë disa nga krimet më të këqija kundër civilëve që ndodhën në Evropë, të konfirmuara nga ICTY, si # Reçak. Politikat gjenocidale serbe nuk mund të mbrohen. Ata duhet të denoncohen. Paqja, pajtimi, drejtësia nuk mund të ndërtohet bazuar në mohimin e krimeve”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Kurse, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka thënë se me deklaratën për masakrën e Reçakut, Vuçiq tregon urrejtjen ndaj shqiptarëve.

“Ky qëndrim dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviqit. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera dhe urrejtja ndaj secilës etni është vepër e dënueshme me ligj”, ka shkruar ai në Facebook.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën ndër masakrat më të tmerrshme në vendin tonë.

20 vjet më parë në Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Ky krim i llahtarshëm tronditi gjithë opinionin ndërkombëtar.

Ambasadori William Walker, e cilësoi ngjarjen në Reçak si krim kundër njerëzimit. Madje, thuhet se masakra e Reçakut ishte pika e kthesës për luftën dhe çlirimin e Kosovës.