Ambasada Amerikane i kërkon Serbisë hetim të plotë për vëllezërit Bytyqi

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në një postim në llogarinë zyrtare në Facebook, ka shkruar se rasti i vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, Yllit, Agronit dhe Mehmetit, duhet të jetë prioritet për Serbinë dhe të zbardhet.

“Dorëzimi i drejtësisë për vëllezërit Bytyqi dhe familjen e tyre dhe mbajtja e përgjegjësisë për ata që kryen dhe mbuluan vrasjet e tyre, mbetet prioritet në marrëdhënien tonë dypalëshe me Serbinë”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Ambasada ka bërë këtë reagim në përvjetorin e 22-të të zhdukjes e më pas edhe vrasjes së vëllezërve Bytyqi, gjatë kohës sa kanë qenë në mbajtje të policisë speciale serbe.

Edhe pse trupat e tyre janë gjetur më vonë në një bazë në Petrovo Selo në lindje të Serbisë, që ishte kontrolluar nga Goran Radosavljeviq – Guri, ende nuk ka zbardhje të rastit.

“Vëllezërit Bytyqi u ekzekutuan, qëlluan në kokë me duart e lidhura pas shpine, por pas më shumë se dy dekadash nuk ka pasur hetim të plotë”, thuhet ndër të tjera.

Me këtë reagim Qeveria e Shteteve të Bashkuara i bënë sërish thirrje autoriteteve serbe për ndihmë në hetimin e plotë të rastit, për çka Serbia kishte bërë premtim se do ta bëjë.

Ambasada e SHBA-së në Kosovë, reagimit të saj në Facebook, i ka bashkëngjitur edhe thirrjen e Ambasadës Amerikane në Serbi, për rastin e vëllezërve Bytyqi.

Më 7 korrik, Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi ka thënë se është duke mbledhur prova të reja me qëllim që të “përcaktohet identiteti” i autorëve të vrasjes së vëllezërve Bytyqi më 1999.