
Ambasadori i ri amerikan mbërrin në Kosovë
Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Jeff Hovenier, ka mbërritur sot në Kosovë.
Këtë e ka bërë të ditur i ngarkuari i deritashëm me punë në ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, Nicholas Giaxobbe, teksa njoftoi se e ka pritur ambasadorin Hovenier.
“Sot mirëprita në Prishtinë ambasadorin e emëruar Jeff Hovenier. Ka qenë një nder të shërbej si i Ngarkuar me Punë gjatë disa muajve të fundit”, ka shkruar Giaxobbe në rrjetin social “Twitter”.
Ambasadori Hovenier njoftoi se do t’i dorëzojë letrat kredenciale gjatë ditës së nesërme.
Jeffrey M. Hovenier ka shërbyer si zëvendësambasador i Shteteve të Bashkuata në Ankara të Turqisë.
Nga gushti 2018 deri në korrik 2019 ai ka qenë i ngarkuari me punë në atë ambasadë.
Më herët, ai ishte zëvendësshef në detyrë i Misionit dhe ministër këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën amerikane në Berlin të Gjermanisë.
Ai ka shërbyer gjithashtu në misionet e Shteteve të Bashkuara në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru; në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Today I welcomed Ambassador-designate Jeff Hovenier to Pristina. It has been an honor to serve as Chargé d’Affaires for the past several months. Continue to follow @UsAmbKosovo for updates on Ambassador Hovenier’s first weeks, including his credentialing ceremony tomorrow. pic.twitter.com/HUlx0koVRP
— Chargé d’Affaires Nicholas J. Giacobbe, Jr (@USAmbKosovo) January 9, 2022