Dega e partisë Alternativa në Gjakovë. Foto: Kallxo.com

Alternativa kërkon shkarkimin e kryetarit të asamblesë së Gjakovës

Dega në Gjakovë e partisë Alternativa ka kërkuar sot shkarkimin e kryetarit të Asamblesë së kësaj komune, Anton Shala ndërsa ka thënë se komuna ka hyrë në krizë politike.

“Me qeverisjen e aleancës, Gjakova ka hyrë në një krizë politike, ata kanë kapur vendet kyçe të komunës së Gjakovës, e shumë të tjera”, tha kryetari i degës së partisë Alternativa, Gurakuq Dobruna.

Ai e akuzoi kryetarin e komunës Ardin Gjini për ndërhyrje në konkurse ndërsa tha se këto gjëra “nuk mund të mbulohen me pak asfalt e drita për festat e fundvitit”.

“Qeveria Gjini ka ndërhyrë në shumë konkurse, ka ndikuar në ndërmarrjen Qabrati, në ngrohtoren e qytetit, e gjithashtu edhe në lejet e ndërtimit”, tha Dobruna.

Ndërsa, Ali Tafarshiku, asambleist nga radhët e Alternativës, kritikoi qeverisjen e Ardian Gjinit për mos mbajtje të mbledhjeve të komunës.

“Është muaji i dytë që nuk është mbajtur mbledhja e komunës”, tha Tafarshiku.

“Ne si alternativë bashkë me të tjerët kemi bisedu për shkarkimin e kryesuesit të kuvendit komunal të Gjakovës, Anton Shala, e cila pozitë duhet t’i takojë opozitës”, shtoi Ali Tafarshiku.

Anton Shala vjen nga Partia Shqiptare Demokristiane e cila është në koalicion qeverisës lokal me AAK-në e Ardian Gjinit

Tafarshiku u bëri thirrje edhe partive të tjera për përkrahje.

“Ju bëjmë thirrje subjekteve politike që të na përkrahin, e më pas të koordinohemi për një kryesues të ri të kuvendit komunal”, tha Tafarshiku.

Ndërkaq, kryesuesi i kuvendit komunal të Gjakovës, Anton Shala, nuk ka dashur ta komentojë kërkesën për shkarkimin e tij.

Ai tha se këto çështje do të diskutohen në mbledhjen e ardhshme të asamblesë komunale.