Aliu: Ka prona që janë shpronësuar nga disa herë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu në konferencë për media ka bërë të ditur se në gjashtë muajt e fundit nga borxhet në gjykata për shpronësimet e pronave, vlera është rritur për 7 milionë euro.

Ministri Aliu ka thënë se ka rrugë për të cilat asnjëherë nuk është realizuar procedura e shpronësimit.

“Shteti i Kosovës është futur në borxhe shumë të mëdha për shpronësimin e pronave. Që në fillim borxhi i shpronësimeve të pronave ka qenë 182 milionë euro, ndërkohë që vazhdojmë të trajtojmë këto lëndë nëpër gjykata”, ka thënë Aliu.

Ai ka bërë të ditur se ka raste në të cilat prona e njëjtë është shpronësuar disa herë dhe në raste të tjera pronat e shpronësuara nuk i kanë shërbyer projektit fare.

“Shpronësim ka kushtuar mijëra euro, ndërsa shfrytëzimi ka kushtuar kryesisht 35 cent. Ka biznese që paguajnë qira mbi qira për të cilat nga buxheti i shtetit janë shpenzuar shumë para”, është shprehur Aliu.

Dje Ministri i Financave, Hekuran Murati në konferencë për media ka thënë se në ndërtimin e autostradës “Prishtinë-Pejë” ishin paraparë të paguhen 31 milionë euro, ndërsa në kohën e ish Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj kjo shumë është rritur për 12 milionë euro.

DOKUMENT – Ky është vendimi i qeverisë Haradinaj për shpronësimin e pronave për autostradën “Prishtinë-Pejë”