Aleanca jo e shenjtë midis Kim Jong-un dhe Putin
Më 27 korrik, ndërsa përkujtonte 70-vjetorin e asaj që Koreja e Veriut e quan në mënyrë të çoroditur ‘fitoren’ e saj në luftën koreane, Kim Jong-un me krenari bëri një xhiro duke i ekspozuar raketat e tij balistike ndërkontinentale, dronët dhe motorët e raketave. Vizitori fatlum nuk ishte askush tjetër veçse ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu. Më vonë, po atë ditë, Shoigu qëndroi pranë Udhëheqësit Suprem teksa shikonin parakalimin e raketave të Koresë së Veriut në Sheshin Kim Il Sung.
Tani duket se vizita e Shoigut – hera e parë që një ministër rus i mbrojtjes kishte ardhur në Korenë e Veriut që nga rënia e Bashkimit Sovjetik – ka dhënë rezultat. Këtyre ditëve është raportuar se Kim Jong-un po përgatitet të udhëtojë në Rusi për ta takuar Vladimir Putinin për të diskutuar mbi shitjen e armëve.
Ashtu sikurse babai i tij, paranojakut Kim Jong-un nuk i pëlqen të fluturojë apo të largohet nga vendi i tij, Koreja Veriore. Në shkurt të vitit 2019, ai duroi një udhëtim dyditor e gjysmë në një tren antiplumb nga Pheniani në Hanoi për ta takuar Donald Trump, presidentin e atëhershëm të SHBA-ve, vetëm për t’u kthyer duarbosh. Katër vjet më vonë, Kim do të dëshirojë të sigurohet që udhëtimi me tren të blinduar në qytetin port rus të Vladivostok të jetë i suksesshëm. Nëse Kim e viziton Vladimir Putinin më vonë këtë muaj, një marrëveshje – për armë, ushqim, informacion dhe para të gatshme – duket e mundshme.
Themeli për bisedimet është hedhur prej disa kohësh. Gjatë vitit të kaluar, Koreja e Veriut ka qenë e zëshme në mbështetjen e saj për fqinjin e saj verior. Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Pheniani përsëriti mantrën e Rusisë se SHBA-ja ishte ‘shkaku kryesor’ i luftës dhe Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut i njohu republikat secesioniste pro-ruse të Donetskut dhe Luhanskut. Marrëdhëniet midis dy vendeve janë ngrohur ndjeshëm.
Mirëpo, deri më tani, si Koreja e Veriut dhe Rusia kanë mohuar me forcë se kanë qenë të përfshirë në ndonjë lloj shkëmbimi armësh. Me këtë samit të mundshëm, kjo duket se do të ndryshojë. Duket se ka një gatishmëri në rritje nga të dyja palët për të pranuar se marrëdhënia e tyre nuk ka të bëjë vetëm me shoqërinë ideologjike.
Përfitimet për të dyja palët janë të qarta. Me gjithë aftësinë e regjimit për t’iu shmangur sanksioneve, ekonomia e Koresë së Veriut mbetet e kufizuar në para. Ndërkohë që Moska, tani pa miq në mbarë botën, është në kërkesë të dëshpëruar për armë për të vazhduar luftën e saj kundër Ukrainës.
Koreja e Veriut nuk e e ka parë gjithmonë aq pozitivisht mikun e saj rus. Duke e zemëruar shumë Phenianin, Bashkimi Sovjetik i pati bërë presion Koresë së Veriut për t’u bashkuar me Traktatin e Mospërhapjes Bërthamore në vitin 1985, me kushtin që Bashkimi Sovjetik do t’i siguronte asaj reaktorë me ujë të lehtë. Në fund, këta reaktorë nuk arritën të materializoheshin. Dhe Moska në fund të Luftës së Ftohtë e shihte Phenianin si pak më shumë se një barrë financiare. Kohët sigurisht që kanë ndryshuar që ajo ta konsiderojë blerjen e municioneve të Koresë së Veriut, të cilat janë shumë larg teknologjisë moderne.
Në këmbim, Kim Jong-un do të mbajë shpresë për të fituar teknologji të sofistikuar për satelitët dhe nëndetëset bërthamore, duke e lejuar atë të vazhdojë të lëvizë poshtë listës së dëshirave të armëve. Kim ka të ngjarë të marrë gjithashtu ndihmë ushqimore, duke pasur parasysh se sa keq po ecën ekonomia e Koresë së Veriut dhe ndikimi që ka tek njerëzit e saj. Rusia gjithashtu mund të ofrojë informacione dhe këshilla në lidhje me armët, në një situatë që të kujton vitet e hershme të Luftës së Ftohtë, kur shkencëtarët koreano-veriorë u ftuan në Bashkimin Sovjetik për të fituar njohuri bërthamore.
Motivimet pas manovrave të fundit të Moskës ndaj Phenianit – dhe anasjelltas – mbeten kryesisht praktike. Ky është një transaksion jo i shenjtë midis dy shteteve batakçi që kërkojnë të paraqesin një front të përbashkët kundër armikut të tyre të përbashkët të Shteteve të Bashkuara. Koreja e Veriut sigurisht nuk është e huaj për logjikën e shkëmbimeve transaksionale, veçanërisht duke pasur parasysh përfshirjen e saj në të kaluarën në rrjetet klandestine të përhapjes bërthamore që përfshijnë Libinë, Sirinë, Iranin dhe Pakistanin.
Koha do të tregojë nëse sugjerimi i Rusisë për të zhvilluar stërvitje ushtarake trepalëshe me Korenë e Veriut dhe Kinën në fakt jep fryte. Megjithatë, pikërisht kjo mundësi e nxjerr në pah faktin sesi të tri shtetet janë të vendosura për të paraqitur një kundërpeshë, qoftë edhe vetëm në sipërfaqe, ndaj stërvitjeve ushtarake të SHBA-së me Korenë e Jugut dhe Japoninë.
Vladivostoku nuk do të jetë si negociatat SHBA-Kore Veriore në Singapor. Nëse takimi Kim-Putin do të vazhdojë – dhe ne duhet të jemi të përgatitur që të ketë pengesa en route për ndonjë bisedë përfundimtare – Putin nuk do të jetë në gjendje t’i bëjë homologut të tij koreano-verior një xhiro në kopshtet botanike ose një suitë presidenciale në Hotel St Regis. Por ai do të jetë në gjendje të ofrojë para, njohuri strategjike dhe solidaritet. Dhe për Korenë e Veriut që ende këmbëngul në ndërtimin e arsenalit të saj bërthamor, kjo do ta bëjë samitin shumë më të vlefshëm. /The Spectator
Përgatiti: Nuhi Shala