Albulena Haxhiu tregon kur do të nisin bisedimet për qeverinë e re

Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pas rezultateve të zgjedhjeve ka ripërsëritur se kjo parti e sheh Lidhjen Demokratike të Kosovës si partnere për koalicion në qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Haxhiu për KALLXO.com tha se megjithatë që të arrihet kjo duhet të mblidhet kryesia e kësaj partie dhe të vendosin.

“Më duhet të them që VV-ja e ka qartësuar edhe gjatë fushatës zgjedhore, kurdo që jemi pyetur për partnerin tonë të parë pas fitores, ne kemi thënë që do të jetë LDK-ja dhe do të vijojmë në këtë drejtim dhe përfundimisht është mirë që PDK-ja shkojë në opozitë, sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme që qytetarët kanë ndëshkuar subjektet politike të cilat e kanë degraduar vendin.”, thotë Haxhiu.

Ajo nuk saktësoi se kur do të mblidhet kryesia e VV-së, por se tha se janë të interesuar që të bëjnë një koalicion me LDK-në.

“Edhe njëherë po them që ne e shohim si partner LDK-në dhe ky do të jetë pak a shumë qëndrimi i kryesisë së VV-së por do ta diskutojmë. Ne jemi të përkushtuar dhe të interesuar që kjo të ndodhë sa më parë për shkak që se nuk kemi kohë që të humbim, natyrisht që kjo duhet të ndodh edhe pse janë çështjet procedurale, certifikimi nga ana e KQZ-së, por kjo nuk e ndal që VV të ketë diskutime për koalicionin e ardhshëm”, tha Haxhiu për KALLXO.com.

Zgjedhjet e djeshme kanë shënuar një ndryshim në krahasim me vitet paraprake. Në dallim nga herët e kaluara, kur PDK-ja ka qenë pothuajse gjithmonë e para, në këto zgjedhje sipas mbi 90% të votave të numëruara nga ana e KQZ-së e para ka dalur Lëvizja Vetëvendosje, ku pas saj pason Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës e treta.