Albulena Haxhiu: Si mund të jetë anti-amerikan njeriu më i votuar i popullit pro-amerikan?

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, përmes një shkrimi ka reaguar lidhur me akuzat që u bënë ndaj liderit të kësaj lëvizje, Albin Kurti.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së në dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell, mbrëmë reagoi në shkrimin e Kurtit i cili thoshte se nuk do t’i respektojë marrëveshjet e Uashingtonit kur të vijë në pozitë duke e quajtur një politikan që është kundër SHBA-ve.

Haxhiu këto akuza i ka quajtur një klishe që tashmë nuk i beson askush duke shtuar faktin se si një vend si Kosova mund të votojë një person me bindje anti-amerikane

“Së pari, as Albin Kurti as Lëvizja Vetëvendosje! nuk janë anti-amerikane. Kjo është klishe e vjetër që është bërë ndaj VV-së dhe tashmë kjo gjë është e tejkaluar, askush nuk beson në të, madje as vet ata që e thonë.

Së dyti, Kosova është vendi më pro-amerikan në botë, pas vet ShBA-ve. Si mund të jetë njeriu më i votuar i popullit më pro-amerikan një anti-amerikan? ,” ka shkruar Haxhiu.

Haxhiu tutje shtoi se Vetëvendosje historikisht i ka kritikuar pozicionet e gabuara dhe të dëmshme të Kosovës e që sipas saj kjo nuk ka lidhje me Amerikën.

“Së treti, ne historikisht kemi kritikuar pozicionet e gabuara dhe të dëmshme të palëve nga Kosova dhe historia po na e dëshmon që kemi pasur të drejtë, nga demarkacioni te zajdenica e deri tash kur u dha shumëçka e su mor asgjë. Kjo nuk ka të bëjë fare me Amerikën,” ka shtuar tutje Haxhiu.

Grenell i reagon Albin Kurtit: Ai ishte kundër ideve të Obamës e të Bushit