Albulena Haxhiu: Ne nuk i duam zgjedhjet, por moszgjedhja e Presidentit e dërgon vendin në zgjedhje

Ministrja e Drejtësisë dhe anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albuelna Haxhiu, ka thënë se moszgjedhja e Vjosa Osmanit në postin e presidentes, e dërgon vendin në zgjedhje.

Në një postim në Facebook, Haxhiu thotë se “nuk kemi çfarë t’ju bëjmë atyre që mendojnë që për votën e Presidentit, duhet dhënë terminale doganore, poste diplomatike a tendera”.

Tutje, ministrja e Drejtësisë thotë se nuk i kanë pasur 80 vota për presidentin.

Ky është postimi i plotë i saj:

Më 14 shkurt, qytetarët kanë votuar edhe për emrin e kandidatit për kryeministër por edhe për emrin e kandidates për presidente.

Ne kemi qenë transparent para qytetarëve. Mesazhi që kanë dhënë qytetarët ishte i qartë. Por ky mesazh e vullnet nuk po përfillet nga opozita. Sërish po injorohet e shkelet.

Ne nuk kemi çfarë t’ju bëjmë atyre që mendojnë që për votën e Presidentit, duhet dhënë terminale doganore, poste diplomatike a tendera.

Ka qenë e qartë. Ne nuk i kemi pasur 80 vota për Presidentin.

Ata që po thonë se e paskemi provokuar situatën me ligjin sepse votat i keni pasur, janë të njëjtit që thonin se A.Veliu nuk është dashur të shkarkohet se ai veprim e provokoi rrëzimin e Qeverisë anipse dihej që Qeveria s’ka pasur në plan të votohej, po kur u votua ka pasur plan të rrëzohet.

Ne nuk i duam zgjedhjet por moszgjedhja e Presidentit e dërgon vendin në zgjedhje prandaj përgjegjësia për këtë i mbetet atyre që e injorojnë vullnetin e qytetarëve dhe e bllokojnë zgjedhjen e Presidentit.