Albin Kurti: Sa të ketë tabela të Serbisë do të ketë edhe të Republikës së Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, në seancën vjeshtore të Kuvendit të Kosovës ka thënë se sa të ketë tabela të Serbisë do të ketë edhe tabela të Republikës së Kosovës.

Kurti i cili gjatë seancës mbajti në dorë dy palë tabelat, tha që kjo marrëveshje është vetëm zbatim i marrëveshjes që është pajtuar edhe Serbia me ndihmën e Bashkimit Evropian.

“Ka dhjetë vjet që qytetarët paguajnë për këto targa (të Serbisë). Ne nuk i duam as këto as këto, mirëpo sa të ketë këso (të Serbisë) do të ketë edhe këso (RKS)”, tha Kurti.

Ai tha se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj marrëveshje për lëvizje të lirë, nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve serbë.

“Ato në asnjë mënyrë nuk kanë për qëllim të cenojnë të drejtën e lirë të qytetarëve serbë apo të provokojnë kurrfarë destabilizimi”, tha ai.

Sipas tij, 15 shtatori i vitit 2021 ishte afati i fundit kur duhej të përmbyllej marrëveshja e arritur në Bruksel dhe të ndalohej qarkullimi i veturave me çfarëdo nga tabelat përveç atyre RKS.

“Sot nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme ose diskriminuese. Sot vetëm po fillon zbatimi i një marrëveshje që është pajtuar edhe Serbia me ndihmën e Bashkimit Evropian”, tha Kurti, duke vazhduar se ka dhjetë vjet që qytetarët paguajnë për këto targa (të Serbisë).

“Ne nuk i duam as këto as këto, mirëpo sa të ketë këso (të Serbisë) do të ketë edhe këso (RKS)”, tha Kurti.

Ekipe të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, në orët e hershme të mëngjesit janë vendosur në disa pika në veri të Kosovës.

Kjo për shkak të informacioneve se disa persona në veri të Kosovës janë nisur drejt Jarinjës pas vendimit të MPB për zëvendësimin e tabelave të Serbisë me ato të përkohshme të Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar se si në qytetet si Leposaviqi dhe Zubin Potoku, qytetarët kanë bllokuar rrugët si shenjë proteste ndërkaq Policia e Kosovës po qëndron afër tyre.

Në vitin 2016 më 14 shtator, Edita Tahiri në atë kohë ministre e Punëve të Jashtme dhe kryenegociatore në Dialogun e Brukselit me Serbinë, kishte nënshkruar marrëveshjen e reciprocitetit për targa të automjeteve në mes dy vendeve.

“Me këtë marrëveshje është vendosur parimi i reciprocitetit në tabelat e automjeteve në mes të dyja shteteve, që do të thotë se çfarë vlen për tabelat e njërit shtetet do të vlejë edhe për tabelat e shtetit tjetër, si dhe kjo marrëveshje i jep fund përdorimit të tabelave “prova” të cilat njëanshëm ishin vendosur nga ana e Serbisë ndaj veturave me regjistrimin RKS të Kosovës”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë bërë në vitin 2016, në kohën kur u nënshkrua kjo marrëveshje.

Ndërkaq pika pesë e kësaj marrëveshje thotë se, “Kosova do të zgjasë validitetin e tabelave KS për pesë vite në fund të së cilës çështja do të shqyrtohet nga të dyja palët (me ndihmën e BE-së nëse kërkohet)”.