Albin Kurti deklarohet për pretendimet e Haki Abazit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka quajtur të pa vërteta deklaratat e deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi, rreth zhdukjes së mostrave të rastit Dehari.

Në një prononcim të shkurtë para gazetarëve, Kurti tha se Albulena Haxhiu është përgjigjur rreth pretendimeve të Abazit.

“Ato nuk janë të vërteta, nuk janë të sakta. Është përgjigjur ministrja jonë e Drejtësisë. Të gjitha çështjet i diskutojmë hapur në forumet tona dhe secili deputet i shpreh qëndrimet e tij”– ka thënë shkurtimisht Kurti.

Në një konferencë për media të premten më 16 shkurt, deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, tha se duhet të kërkohen video-incizime për t`u konfirmuar se kush, sipas tij, i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Ai tha se Prokuroria duhet të marrë në pyetje kryeministrin Kurti, Dejona Mihajlin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balajn dhe Flutura Goga Bajrami, në lidhje me zhdukjen e mostrave.

Në anën tjetër, Prokuroria Speciale ka konfirmuar se sot Haki Abazi do të intervistohet në lidhje me pretendimet e tij për rastin Dehari.

Prokuroria Speciale: Abazi do të merret në pyetje për rastin ‘Dehari’