Albin Kurti bën thirrje për transferim paqësor të pushtetit në ShBA

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë thirrje për transferim paqësor të pushtetit në ShBA, pas protestave të dhunshme me ç’rast përkrahësit e presidentit Trump u futën në Kongresin amerikan.

Ndiqni live debat

Kurti përmes një postimi në Twitter ka thënë se kur demokracia në SHBA kërcënohet, atëherë e gjithë bota nuk është e sigurt.

“Kur demokracia në Amerikë kërcënohet, bota nuk është më e sigurt. Njerëzit e Kosovës i kanë ndjekur me shqetësim të madh skenat trishtuese në Capitol Hill dhe ne bëjmë thirrje për transferim paqësor të pushtetit, duke respektuar vullnetin e popullit amerikan, e jo dhunë nga ekstremistët e së djathtës”, ka shkruar kreu i LVV-së, të enjten.

Më 6 janar, teksa nisi punimet Kongresi amerikan, protestues të dhunshëm, mbështetës të Trumpit, hynë në ambientet e Kongresit. Autoritetet thanë se gjatë protestave të dhunshme kanë vdekur katër persona.

Pasi nga Kongresi u larguan protestuesit, ligjvënësit certifikuan fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet e 3 nëntorit të vitit 2020.