Pamje nga seanca e sotme - Foto: KALLXO.com

Akuzohen se e mbytën me dru e shufra metalike kushëririn, dëshmitari okular rrëfen se çka pa në momentin tragjik

Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, të akuzuar për vrasjen e Muhamet Ismajlit në fshatin Sadovinë e Çerkezëve të komunës së Vitisë, dhe Ermond Ismajli, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor, janë sjellë edhe sot në Gjykatën e Gjilanit.

Të akuzuarit për vrasje, sipas Prokurorisë, me mjete të forta e kanë vrarë (mbytur) kushëririn e tyre, Muhamet Ismajlin.

Në seancë u dëgjua dëshmitari Arsim Salihu, i cili tha se para se të ndodhte rasti ka punuar tek i akuzuari Samet Ismajli dhe është kujdesur për bagëtinë e tyre.

“Më 2 maj 2019 kam qenë në vendin e ngjarjes pasi një natë më parë më ka thirrur Ismeti. Unë e di se ajo pronë i ka takuar Ismet Ismajlit. Me sa e di unë i pari kam shkuar me traktor te vendi ku ka ndodhur rasti dhe kur ka ardhur Besmiri me bager ka shkuar te “Qoshi i therrave”, dhe kur kemi mbërritur aty Besmiri nuk ka filluar menjëherë të punojë me bager. Mbas afërsisht 20-30 minutave aty ka ardhur Ismeti me kamion dhe kohë pas kohe kemi filluar të mblidhemi në vendin e ngjarjes”, tha dëshmitari Salihu.

Tutje dëshmitari tha se prej familjes së të ndjerit në vendin e ngjarjes kanë dalë 3 persona dhe janë afruar tek Ismeti pastaj kanë filluar të bisedojnë mes vete.

“I ndjeri Muhamet nuk është afruar te kamioni. Atë e kam parë më larg dhe krejt në fund të bisedës është afruar te kamioni. Aty ka qenë edhe vajza e të ndjerit, Besiana, dhe i ka fyer të gjithë me fjalë. Pasi në vendin e ngjarjes kanë ardhur djemtë e të ndjerit, situata është tensionuar shumë pasi Ermondi e ka nxjerrë një shati nga vetura e tij dhe e ka ngritur për ta goditur dikënd”, tha tutje dëshmitari Arsim Salihu.

Tutje dëshmitari tha se pasi ka filluar rrahja të  ndjerin Muhamet e ka parë të rrëzuar dhe pasi ka provuar të ngritet, i akuzuari Besmir Ismajli ka ardhur dhe me shkop druri e ka goditur sërish në kokë, pastaj i ndjeri më nuk ka mundur të ngritet.

Seanca është ndërprerë për shkak të përfundimit të orarit të punës dhe seanca e radhës do të mbahet më 20 shtator.

Kujtojmë se këtë rast ka qenë duke e gjykuar gjykatësi tjetër Zyhdi Haziri, kurse pas kalimit të tij në Gjykatën e Apelit, tani rasti gjykohet nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sabedin Mushica.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, në muajin maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, komuna e Vitisë, kanë vrarë Muhamet Ismajlin.

Aktakuza thotë se pasi nuk kishin mundur të merreshin vesh, kishte eskaluar situata dhe të akuzuarit me mjete të forta, si dru dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen, si pasojë e thyerjes së kockave të kafkës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ermond Ismajli të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend dhe për të njëjtat arsye (për shkak të një prone kontestuese), u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet Ismajlit dhe Fisnik Ismajlit duke i goditur me lopatë, në pjesë të ndryshme të trupit.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.