Ilustrim

Ndërmarrjet zotohen për zbatimin e obligimit që faturat e konsumatorëve t'i vendosin në zarf

Nga data 01.07.2024 ka filluar aplikimi i obligimit të vendosur nga Agjencia për Informim dhe Privatësi që ndërmarrjet publike e private t’i vendosin faturat për konsumtarët/qytetarët në zarf, në të kundërtën gjobat do të jenë të konsiderueshme.

“Bazuar në Ligjin për Mbrojtje të të Dhënave Personale gjobat variojnë nga 8,000 € deri në 40,000 €” – thuhet në përgjigjen me e-mail të AIP-së dërguar Kallxo.com më 02.07.2024.

Shumica e ndërmarrjeve të kontaktuara nga Kallxo.com janë zotuar se janë të gatshme të zbatojnë këtë obligim.

Nga KRU “Prishtina” kanë konfirmuar se nga muaji korrik do të bëjnë shpërndarjen e faturave me zarf.

“KRU “Prishtina” ka ndërrmarë të gjithë hapat që faturat nga muaji korrik 2024 të shpërndahen sipas rekomandimeve nga Agjencia për Informim dhe Privatësi” –  thuhet në përgjigjen me e-mail të KRU “Prishtina” më 02.07.2024.

KEDS/ KESCO kishte publikuar një komunikatë më 28.06.2024, ku kishte treguar se kishin filluar me një pilot-projekt për vendosjen e faturave në zarfe e ku kishin hasur në disa sfida lidhur me zbatimin e kësaj praktike.

Sipas komunikatës, një nga pengesat kryesore është mungesa e kutive postare te konsumatorët. Kjo sipas kompanisë është konsideruar se e vështirëson shumë procesin e dorëzimit të faturave.

Mbi bazën e këtyre vështirësive kompania po konsideron një zgjidhje alternative.

“Kompania është duke shikuar alternativën e dërgimit të faturave në mënyrë digjitale si një nga opsionet më efiçiente, por kjo mund të ndodhë kur të hyjë në fuqi ligji që e rregullon këtë çështje”-thuhet në komunikatën e KEDS-it.

Bartja e zarfeve gjithashtu është konsideruar ngarkesë e madhe për punonjësit, kur bëhet fjalë për leximin e një numri të madh të njehsorëve gjatë ditës, thuhet në komunikatë

Megjithatë KEDS ka deklaruar se nga ky muaj do të fillojë me zbatimin e obligimit të përcaktuar nga Agjencia shtetërore për privatësi.

“Po, po gjithsesi do të fillojmë me dërgimin e faturave në zarfe” – ka thënë përmes telefonit zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi.

Kurse Ujësjellësi “Hidrodrini” për këtë çështje është në proces të lidhjes së marrëveshjes me Postën e Kosovës.

“KRU ‘Hidrodrini’ është në proces të lidhjes së marrëveshjes me Postën e Kosovës. Presim të zgjidhim edhe disa çështje teknike dhe të fillojë shpërndarja  e faturave nga ana e tyre” – thuhet në përgjigjen me e-mail të “Hidrodrinit” më 04.07.2024.

Edhe nga Ujësjellësi “Hidromorava” kanë konfirmuar fillimin e zbatimit të obligimit të parashtruar nga AIP.

“Prandaj, kemi marrë të gjitha masat procedurale dhe logjistike për të shpërndarë faturat e muajit korrik dhe muajve në vazhdim sipas vendimit të AIP” – kanë konfirmuar me e-mail më 03.07.2024.

Gatishmëria është e njëjta edhe nga ana e ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” për zbatimin e këtij obligimi.

“Nga muaji Korrik ne do të fillojmë zbatimin e përcaktuar nga AIP dhe faturat e konsumtarëve do të ju dorëzohen me zarfe” – thuhet në përgjigjen me shkrim të ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” të datës 03.07.2024.