Mentor Shala, drejtor i përgjithshëm i RTK-së. Foto: Kallxo.com

Mentor Shala thotë se është suspenduar nga puna në RTK

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Mentor Shala ka thënë se është suspenduar nga puna e tij në televizionin publik.

Shala mban pozitën e redaktorit në programin satelitor në RTK.

Shala përmes një postimi në Facebook, ka thënë se komisioni disiplinor “nën kërcënimin e drejtorit të Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj e ka marrë këtë vendim”.

“Nën kërcënimin e Drejtorit të Përgjithshëm (kam dëshmi), Komisioni Diciplinor jashtëligjshëm dje ka marrë vendim për suspendimin tim që pritet të bahet publik sot. Disa ditë më herët po i njëjti Komision për të njëjtin rast ka deklaruar se nuk janë kompetent me u marrë me vendimet e ish Drejtorit të Përgjithshëm”, ka shkruar ai ndër të tjera në Facebook.

Shala në postimin e tij ka pretenduar se largimi i tij nga RTK ka qenë qëllim i drejtorit dhe kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletinit.

“Unë punoj në RTK që 22 vjet dhe sa jam i rrezikshëm e dinë më së miri punëtorët e RTK-së.  Që 7 muj, nuk kanë mujt me u ba rahat, kryetari i Bordit të RTK-së, Drejtori i Përgjithshëm e le ma ud.Zv/Drejtori i Përgjithshëm, që ka probleme serioze me veten e tij, derisa ta gjejnë rrëfimin me përmbush misionin, me m’hjek mu prej RTK-së”, tha ai.

KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, i njëjti ka thënë se është duke u zhvilluar procedurë disiplinore ndaj tre personave, por që sipas tij ende nuk ka pranuar ndonjë vendim.

“Ajo çfarë mund të ju konfirmoj për momentin është se një rast ndaj 3 personave në RTK që dyshohet se e kanë keqpërdorur pozitën e tyre, duke falsifikuar dokumente zyrtare, kanë qenë në komision disiplinor dhe unë si drejtor jam në pritje të vendimit final”, ka thënë ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe kryetarin e Bordit të RTK-së, Besnik Boletinin, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm përmes telefonit.