Foto: LDK

Akuzat e Hotit: Listat e oponentëve të mbushura me ekstremistë të të gjitha formave

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti në ditën e dytë zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit ka mbajtur tubim elektoral në Klinë.

Në këtë organizim ai ka akuzuar parti politike, ndonëse pa përmendur emra, se listat e tyre të kandidatëve për deputetë, janë të mbushura me ekstremistë të të gjitha formave.

“Grupacioni tjetër me të cilin konfrontohemi për mbrojtjen e shtetit të Kosovës, në vitet e 90-ta bënin thirrje që të marrim pjesë në zgjedhjet e Serbisë. Kjo është e vërtetë! E kanë kundërshtuar marrëveshjen e Rambujesë, e kanë kundërshtuar Planin e Ahtisarit, janë vrarë njerëzit në rrugë në vitin 2007 duke e kundërshtuar këtë plan. Vetëm shihni listën e tyre, të mbushura me ekstremistë të të gjitha formave, duke përfshirë edhe adhuruar të Enver Hoxhës”, citohet të ketë thënë Hoti, sipas komunikatës që ka dërguar LDK-ja.

Kandidati për kryeministër, sërish është shprehur i bindur në fitore.

“LDK është e palëkundur dhe do ta çoj projektin e ndërtimit të shtetit dhe zhvillimit deri në fund. Ne do të fitojmë për të mirën e Kosovës dhe të ardhmen e saj. Për të mirën edhe të atyre që po na kundërshtojnë, sepse edhe ata përfitojnë nga zhvillimi ekonomik dhe integrimi euroatlantik”, tha Hoti.

Ai i ka theksuar sërish disa prej premtimeve për këto zgjedhje.

“Për të siguruar shtet ligjor plotësisht funksional, do të nisim vettingun në drejtësi që do të rrisim efikasitetin dhe transparencën në drejtësi. Në të gjitha këto procese do të përfshihet mërgata jonë. Sepse vetëm kështu, e konsolidojmë dhe forcojmë shtetin që e kemi nisur bashkë”, shtoi Hoti, njofton LDK.

Fushata zgjedhore ka nisur të mërkurën më 3 shkurt dhe do të zgjasë deri më 12 dhjetor. Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen të dielën e 14 shkurtit.