Aktivistët për të drejtat e grave deklarohen në gjykatë: Qëllimi jonë është të japim mesazh për të ndaluar dhunën

Tre të rinjtë B.D, E.A dhe A.H, aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të vajzave dhe grave, sot u deklaruan në Gjykatën e Mitrovicës lidhur me mbishkrimet “haram është mi mshel gratë”, “ virgjiniteti është shpikje e burrave”, “dhunuesit e grave në burg”, “gruaja e ka vendin ku të dojë”, “gruaja nuk o rob i burrit”, “trupi jem e drejta jem” të cilat i kishin bërë nëpër mure të ndërtesave nëpër qytet.

Policia e Kosovës, në kërkesën parashtruar Gjykatës së Mitrovicës për tre aktivistët, thotë se kanë shkelur Ligjin për Rendin dhe Qetësinë Publike.

Lidhur me kërkesën e Policisë e pandehura B.D, deklaroi se është aktiviste për feminizëm.

B.D, tha se qëllimi i këtyre grafiteve ishte “me ndalu dhunën ndaj grave pasi kohëve të fundit, sidomos gjatë pandemisë, janë shtuar rastet e dhunës në familje e viktimë kryesore ka qenë gruaja”.

Po ashtu ajo shtoi se nuk ishin të vetëdijshëm se po e dëmtojnë pronën publike.

Ndërsa në përfundim të deklaratës së saj B.D, tha se nuk do të ndalen në qëllimin e tyre dhe se mbishkrimet nëpër mure, janë vetëm njëri nga aktivitetit nëpërmes të cilave kanë tentuar të japin mesazh për të ndaluar dhunën kundër grave.

Ndërsa i pandehuri i dytë E.A, në seancën e sotme deklaroi se duke qenë pjesë e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, i ka bërë shkrimet në Mitrovicë.

“Kemi ndërmarrë një aksion feminist për mbishkrimin në qytetin e Mitrovicës që e dënojnë dhunën ndaj grave, patriarkatin dhe çështje me interes feminist”, tha ai.

E.A, tha se mbishkrimet e bëra, janë me interes shoqëror.

“Nuk e bojmë për me qenë rebel, por në interes shoqëror”, tha ai.

Ndërsa e pandehura e tretë A.H, deklaroi se mbishkrimet i kanë bërë për t’ju përplasë njerëzve të vërtetën në fytyrë “për rrezikun që kanë gratë dhe vajzat në qytetin tonë”.

Ajo tha se grafitet i kanë shkruar në vende ku frekuentohen nga njerëzit me qëllim të vetëdijesimit të tyre.

Kërkesa e Policisë për kundërvajtje thotë se më 25 prill 2021 rreth orës 19 e 55 minuta, të pandehurit janë takuar në Bulevardin “Isa Boletini” dhe kanë shkruar mbishkrime në objektin e Gjykatës.

Ligji për Ruajtjen e Rendit dhe Qetësisë Publike për këtë kundërvajtje parasheh dënim me gjobë prej 100 deri në 800 euro ose dënim me burgim deri në 40 ditë.