Aktakuzë kundër dy pjesëtarëve të forcave policore serbe për dhunim seksual gjatë luftës

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj dy personave për dhunë seksuale ndaj një gruaje shqiptare në kohë lufte në cilësinë e pjesëtarëve të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, ngjarja ka ndodhur gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat serbe kundër popullsisë civile në territorin e Prishtinës ku thuhet se ishte përdorur dhunë dhe veprime të tjera ç’njerëzore.

“Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit me iniciale I. R. dhe D. D. si pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Prishtinës, duke ditur për ekzistimin e një sulmi të tillë, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, kanë kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptarë”- bën të ditur Prokuroria Speciale.

Viktima e dhunimit sipas Prokurorisë ka pësuar lëndime të rënda fizike trupore si dhe trauma psiqike të përhershme.

I. R. dhe D. D. po akuzohen për krime lufte ndaj popullatës civile, akuza për të cilat do të zhvillohet gjykimi në mungesë pasi që sipas Prokurorisë Speciale janë shterur të gjitha përpjekjet ligjore për t`i gjetur të akuzuarit.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime të akuzuarit kanë kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile’’ nga neni 142 të Kodit penal të ish-Jugosllavisë ( i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale), aktualisht e inkriminuar si Krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës kompetente që të mbahet gjykimi në mungesë pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet ligjore për t`i gjetur të pandehurit”- ka njoftuar Prokuroria Speciale.