Shiriti i Policisë, FOTO-Ilustrim

Aktakuza ndaj Col Imerajt detajon vrasjen në Bardhaniq të Gjakovës vitin e kaluar

Më 31 mars 2021, u ngrit akuza ndaj Col Imerajt nga fshati Geghysen në Tropojë,  Shqipëri, për veprat penale vrasje e rëndë, vrasje në tetativë dhe lëndim i lehtë trupor.

Pretendohet se këto veprime, Imeraj i ka kryer ndaj kushërires së tij, burrit dhe djalit të saj.

Përkatësisht, Imeraj akuzohet se ka vrarë burrin e kushërirës së tij, 60 vjeçarin Ndou Mulaj nga Bardhaniqi i Gjakovës.

Përveç viktimës, Imeraj dyshohet se ka plagosur kushërirën etij Diturie dhe djalin e saj Mark Mulaj.

Pas ngritjes së kësaj aktakuze, mbrojtësi i Col Imerajt, avokati Meshari Selimaj tha për KALLXO.com se tashmë i akuzuari është në gjendje të rëndë psikike.

“Përgjatë hetimeve është konstatuar se nuk ekziston ndonjë motiv për veprimet e kryera nga i mbrojturi im, sepse në këto raste kur kemi të bëjmë me veprime të rënda nevojitet që motivi të ekzistojë dhe të jetë i njohur dhe se këtë mënyrë të bëhet cilësimi i duhur juridik i aktakuzës për shkak se veprat penale për të cilat ngarkohet këtu i akuzuari janë shumë të rënda”- deklaroi Meshari Selimaj.

Selimaj, gjithashtu e shprehu pakënaqësi në ekspertizën psikiatrike që i është bërë Imerajt.

“Kemi dilema të mëdha në ekspertizën psikiatrike që i është bërë të njëjtit, që nëse ajo ekspertizë paraqet gjendjen reale shëndetësore mentale të të akuzuarit dhe se këtë e them bazuar në gjendjen psiqike të shfaqur nga ai edhe gjatë qëndrimit në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, i cili është në gjendje të rëndë psikike dhe kjo bazohet në dëshmitë e burgut”- tha Selimaj.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, thuhet se përderisa i ndjeri Ndue Mulaj 60 vjeçar ishte në dhomën e tij të gjumit, Imeraj me një thikë e çekan hekuri, hap derën e dhomës dhe  e godet disa herë me thikë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, për të cilat veprime i vihet në barrë akuza e vrasjes së rëndë.

Në akuzë thuhet se në dhomën e gjumit kishte qenë edhe bashkëshortja e të ndjerit Diturie Mulaj, e që ishte kushërira e tani të akuzuarit Col Imeraj, ku i njëjti kushërirën e tij e kishte goditur me thikë në krahun e majtë dhe në dorën e djathtë, me çka akuzohet për lëndim të lehtë trupor.

Aktakuza thotë se përveç kësaj, i njëjti shkon edhe në dhomën tjetër, ku prezent ka qenë djali i viktimës Mark Mulaj, duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, e duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat veprime ngarkohet me veprën e vrasjes në tentativë. Ky i fundit kishte qenë në dhomë me vëllaun e tij të mitur D.M.

Në deklaratën e dhënë në Prokurori, Col Imeraj kishte pretenduar se Ndue Mulaj i kishte dhënë ekstazi (drogë), në një gotë me ujë dhe se të njëjtën e kishte detyruar që ta pijë.

Ai kishte mohuar se kishte ndonjë konflikt më familjen Mulaj, por i njëjti pasi që Diturie Mulajn e kishte vajzë të dajës së babait të tij, ai kishte qëndruar 2-3ditë tek shtëpia e saj në mënyrë që të kontrollohej tek mjeku i veshkave.

Gjatë deklaratës së tij të dhënë në Prokurori, ai kishte thënë që gjatë ditës i kishte ndihmuar Ndue Mulajt në bartjen e ushqimit të kafshëve.

Imeraj kishte thënë që pas pirjes së gotës më ujë e kishte humbur kontrollin, e pas asaj i njëjti kishte thënë që kishte pirë lëng hashashi, duke mos e ditur se i kujt ka qenë.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast.

Ky rast pritet që të caktohet për tu gjykuar në Gjykatën e Gjakovës.