Aksioni i Policisë në Gjakovë për arrestimin e të dyshuarve që tentuan të vjedhin bankomatin e 'TEB Bank'-ës

Policia në Gjakovë ka njoftuar se ka bërë arrestimin e dy personave të dyshuar për disa raste të vjedhjeve.

Sipas njoftimit, arrestimi i të dyshuarve është bërë në kuadër të një plani operativ, dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore-Gjakovë.

Policia ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, mbështetur edhe nga Njësia për Reagim të Shpejtë, ka kryer një bastisje të objekteve të banimit dhe objekteve tjera përcjellëse në dy lokacione të ndryshme  në territorin e Komunës së Malishevës.

Gjatë këtij operacioni policor janë arrestuar dy persona të dyshuar  nën dyshimin se kanë kryer vjedhje të rëndë të mbetur në tentativë më 20 janar në fshatin Kijevë.

Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit të maskuar, kanë tentuar që të kryejnë  vjedhjen e të hollave  në bankomatin e TEB Bankës.

“Gjate punëve operativo-hetimore hetuesit policor nga stacioni policor në Malishevë kanë mbledhë dëshmi lidhur me rastin si dhe gjatë kontrollit në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe janë sekuestruar dëshmi te ndryshme Personat e arrestuar lidhur me këtë rast janë M. M., 29 vjeçar dhe F. K., 29 vjeçar”, njofton policia.

Personat e arrestuar sipas policisë dyshohet që në bashkëveprim me forcë kanë depërtuar në brendinë e një dyqani tjetër dhe nga aty kanë arritur të kryejnë vjedhjen.

Policia në cilësi të provave materiale ka sekuestruar nga të dyshuarit një automjet të tipit Renault Llugano, dy maska, dy palë dorëza, një çantë krahu, një duks ngjyre e zezë, një pallto reflektuese me kapelë, një kapelë të zezë, dy jelek reflektues-trafiku dhe një palë atlete.

Sipas policisë hetuesit policor po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastin në fjalë, ndërkohë që personat e dyshuar pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.