Aksioni i ORCA-së, reagon Ardian Gola

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka zhvilluar një aksion para Kuvendit të Kosovës para se të fillonte mbledhja e Komisionit për Arsim.

ORCA i ka quajtur ndërhyrje të qëllimshme propozimet për ndryshme në projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim nga deputeti Ardian Gola.

ORCA ka thënë se propozimet e deputetit Ardian Gola janë “Kali i Trojës në cilësinë e arsimit” në Kosovë.

“Këto ndërhyrje janë bërë me qëllim që t’ia marr Agjencisë rolin kryesor që ka e që është përcaktimi i kritereve të akreditimit të cilat përcaktohen ekskluzivisht nga manualet e akreditimit që i nxjerrë Agjencia e Akreditimit, që burojnë nga standardet evropiane të përcaktuara nga ENQA dhe EQAR (standardet ESG)”- thuhet në reagimin e ORCA-së.

Ndërsa, deputeti Ardian Gola ka thënë se ORCA kanë huqje në metodologjinë e tyre dhe se kanë kritikë personalizuese.

“Unë mendoj që kali është qenie shumë fisnike dhe çfarëdo përpjekje me i përdor kafshët për me bë sulme politike mendoj se më shumë tregojnë për karakterin dhe personalitetin e aktivistëve se sa që flasin për diçka tjetër”- ka thënë Gola.

Sot në mbledhjen e Komisionit për Arsim është votuar që projektligji për Agjencinë e Akreditimit të Kosovës  të dërgohet ne Kuvendin e Kosovës për votim.