Shqyrtimi i Projektligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, shoqëria civile jep komentet e saj

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, sot mbajti dëgjimin e dytë publik lidhur me Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, me shoqërinë civile dhe grupet e interesit.

Kryetari i këtij komisioni, Ardian Gola, tha se pret nga organizatat e shoqërisë civile që t’i dërgojnë edhe me shkrim komentet e tyre sa i përket këtij projektligji.

Në këtë debat, pika më e diskutuar është statusi që do ta ketë Agjencia e Kosovës për Akreditim si dhe kompetencat e Komisionit të Ankesave brenda AKA-së.

Dekani i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Dashamir Bërxulli, tha se me këtë draft të projektligjit nuk është shtuar asnjë gjë e re çka nuk është e përfshirë deri tani në kornizën ligjore të vendit.

Ai shtoi se po ashtu duhet të specifikohet edhe roli i Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

“Sugjeroj që të ketë një rol përmbajtjesorë në ligj Agjencioni. A ka me pas pavarësi operacioniale agjencia, sepse sipas këtij ligji nuk mund të bëhen ndryshime thelbësor në arsimin e lartë”, tha Bërxulli duke shtuar se duhet të përmirësohen edhe disa gabime gjuhësore.

Visar Rushiti nga organizata “Democracy Plus” tha se disa komente të kësaj organizate nuk janë përfshirë në projektligj në kohën kur ka qenë në konsultim publik nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

“Mua edhe organizatës nuk na mbetet hatri pse nuk janë marrë parasysh por për shkak të procedurës që janë ndjekë. Komentet që I kemi dërguar nga 15, i gjen vetëm 7, nuk jepet asnjë sqarim se pse janë marrë e as pse nuk janë marrë”, tha Rushiti.

Sipas tij, po ashtu në ligj së pari është dashur të përfshihet akreditimi e më pas roli i Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

“Tek klasifikimi që AKA të jetë si rregullator, tek emri jemi në rregull, unë mendoj që në teren nuk rregullon treg, dhe nuk është në rregull ky ligj që miratohet sot nesër mos me qenë në përputhje me ligjin për administratën publike”, tha më tej ai.

Ndërsa, drejtori i AKA-së, Naim Gashi, tha se ka qenë pjesë e grupit punues për hartimin e këtij projektligji, por ai tha se nuk janë marrë parasyshë të gjitha rekomandimet e tij.

“Unë e kundërshtoj faktin edhe si anëtar i grupit punues që AKA ka me ligj të pretendohet të merren kompetencat e hartimit të lartë. AKA me këtë ligj harton rregullat dhe procedurat të akreditimit, ri akreditimit dhe valimit të arsimit të lartë”, tha Gashi.

“6 muaj kemi diskutu në grupin punues për Komisioni i Ankesave. Në ESG standard askund nuk thotë që duhet me qenë organ vendimmarrës komisioni i ankesave.. Unë jam kundër që të kodifikohet çdo gjë në ligj sepse arsimi i lartë, shkenca, kultura evoluojnë shumë shpejtë”, tha Gashi.

Kurse, profesori në Universitetin e Prishtinës, Bujar Dugolli, tha se në projektligj edhe studentët duhet të kenë të drejtën e votës si pjesë e Këshillit Shtetëror të Cilësisë nëse përfshihen si anëtar.

“Tek anëtarët ndërkombëtarë deklarimi i pasurisë janë jashtë ligjit dhe mendoj se shtetasi i huaj nuk duhet t’i nënshtrohet. Po ashtu edhe kriter për mosakreditim të jetë jo vetëm dënimi por edhe nëse ka ndonjë aktakuzë. Po ashtu për kohëzgjatjen e akreditimit të jetë ndoshta më së gjati 6 vite”, tha Dugolli.

Rron Gjinovci nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), tha se shqetësuese për të është që në dëgjime publike, përfaqësuesit po mbrojnë ‘arsyetimet’ e kolegjeve private.

“Ndryshimi thelbësor në këtë projektligj është heqja e statusit ekzekutiv. Fuqizimi i pavarësisë së agjencisë është e domosdoshme dhe e rëndësishme për rikthim në ENQA dhe EQAR. Sepse nëse na nuk e bëjmë këtë, na ja qojmë sinjalin ENQA-s që Agjencia s’është e pavarur”, tha ai.

Sipas tij, pika më interesante është që në këtë ligj të ndryshohet roli i Komisionit të Ankesave në organ vendimmarrës për ankesat që institucionet e arsimit të lartë i bëjnë për vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

“Pika më interesante që po diskutohet dhe avokimi i kolegjeve private është komisioni i Ankesave kur është pa që s’po mundet mu sabotu puna e KShC-sw, atwherw kanw fillu me kwtw cwshtjen e komisionit të ankesave. Lidhur me brengën e juaj se s’mundet me pas kompetenca për më shqyrtu proceduralisht, e keni gabim sepse të njëjtën gjë e ka edhe vetë ENQA”, tha ai.

Ai shtoi po ashtu se përfshirja e studentëve më votë të plotë mund të bëhet vetëm nëse ata do të certifikohen nga ENQA.

Drejtori i AKA-së, Naim Gashi po ashtu u shpreh kundër që Komisioni i Ankesave të ketë të drejtë për rikthim të akreditimeve ndaj institucioneve të arsimit të lartë.

“Nëse e gjeni një agjencion në Evropë që komisioni i ankesave ka të drejtë për dhëne akreditim unë kurrë s’ulem më këtu”, shtoi ai.

Kurse, anëtarja e Komisionit për Arsim nga LDK Vlora Dumoshi tha se është shqetësuese rënia e numri të regjistrimit të studentëve në universitetet publike.

Ajo shtoi se ka pikëpyetje në projektligj dhe sipas saj duhet Komisioni të marrë një vendim nëse do të merren parasysh të gjitha komentet në debatet publike apo të kthehet në pikën zero në MAShTI.

Për këtë, kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola tha se është kundër që ligji të kthehet në pikën zero, por tha se duhet të merren parasysh të gjitha komentet që dalin nga debatet publike për këtë projektligj.

Javën e kaluar, debati publik rreth Projektligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim mblodhi përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë, përfshirë këtu universitetet publike dhe kolegjet private.

Projektligji për Agjencinë e Akreditimit pritet të rregullojë statusin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe është propozuar të jetë si agjenci rregullatore në proceset dhe përgjegjësitë e akreditimit, riakreditimit, validimit, monitorimit me qëllim të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë në Republikën e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës javë më parë e ka miratuar në parim Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Miratimi i Projektligjit për AKA-në është edhe kriter për riaplikim të AKA-së për rikthim në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe regjistrimin në Regjistrin Evropian për Rritje të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).