Jasharaj: Jam bullizuar në Kuvendin e Kosovës pasi kam përdorur fjalën "vëlla"

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, kanë pasur një përplasje sot në Komisionin për Arsim.

Jasharaj në fjalën e tij ka thënë se është bullizuar në Parlamentin e Kosovës nga kryeministri Albin Kurti pasi në takim më të ka përdorur për fjalën “vëlla”.

Jasharaj po ashtu ka thënë se figura e mësuesit është lënduar nga deklaratat e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Fjalën vëlla e përdora sepse në Kosovë kur dojmë më bisedua pa hile i themi bisedë si vëllai me vëlla dhe kryeministri që shihet që nuk e qan fare kokën për situatën por dëshiron të krijojë humor dhe satirë më bullizojë edhe në parlament. Figura e mësuesit është lënduar me tri deklaratat e ministres Nagavci secila më nxitëse se tjera. Kurrë nuk kam deklaruar në media pa më nxitur” – ka thënë Jasharaj.

Pas këtyre deklaratave, kryetari i Komisionit për Arsim, Adian Gola, ka kërkuar nga Jasharaj të mos përdor emra si kryeministrin dhe ministrat.

“Nuk do të doja të përmendni emra specifik, për shkak se nuk është as kryeministri, as ministri me mbrojt veten, t’i ngriti shqetësimet pa i përmendur emrat e përveçëm” – ka thënë Gola.

Jasharaj është kundërpërgjigjur duke thënë se as ai nuk ka qenë prezent në parlament kur është përmendur emri i tij.

“Pse nuk ua tha njerëzve në parlament mos e përmendi Rrahman Jasharaj, unë nuk kam qenë aty” – ka thënë Jasharaj duke shtuar se nuk do të flasë më sot në Kuvend.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, i është drejtuar Golës duke i thënë se nuk mund t’ia ndalojë kështu fjalën Jasharajt.