Mbledhja e Komisionit për Arsim, 23 shtator 2022 Foto: KALLXO.com
Deputeti i LVV-së me propozim për sindikalistët: Fëmijët të kthehen në shkollë, por të mos vendosen notat
Gjatë takimit të sotëm në mes SBAShk-ut, Komisionit për Arsim, ministres Nagvaci dhe ministrit Hekuran Murati është diskutuar lidhur me grevën në arsim dhe në sektorin publik që ka filluar nga data 25 gusht.
Fundi i këtij takimi është përmbyllur me një lutje të kryetarit të këtij komisioni, Ardian Gola (LVV) ndaj sindikalistëve.
Ai ka kërkuar që fëmijët të kthehen në shkollë, por që atyre të mos u vendosen nota.
“A kishi mujt që në vend të fëmijëve me i marrë notat me i bo si presion sindikal. Mos i vendos notat, mos me formalizu dijen e cila transmetohet tek fëmijët deri në momentin kur bëhet një zgjidhje. Sepse unë jam shumë i sigurtë që zgjidhja në këtë forum në këtë masë të njerëzve është problem me u gjetë, por edhe një herë po rrumbullakosj, në vend të fëmijëve notat me i marrë si formë të pensionit sindikal. Edhe unë jam i bindur që efekti për fitimin e vëmendjes qeveritare në raport me kërkesat sindikale ka me qenë relativisht i njëjtë në krahasim me mënyrën se si sot fëmijët janë të privuar nga e drejta për shkollim” – ka thënë Gola.
Ai ka kërkuar që përgjigjen ta marrë më vonë pasi kjo kërkesë të diskutohet nga kryesia e sindikalistëve.
“Mos më jepni përgjigje tash. Ju kisha lut mbi të gjitha si prind dhe si mësimdhënës, a është e mundshme që deri sa të arrihet një marrëveshje ‘të ngrijmë’ një lloj moratoriumi të këtij procesi të mos marrëveshjes që fëmijët t’i rikthejmë në proces mësimor, mos t’ua vendosim notat që mund të jetë një presion goxha i fuqishëm sindikal në raport me qeverinë dhe ditëve në vijim të intensifikojmë komunikimin me qeverinë dhe sindikatat dhe jam shumë i sigurtë që përgjatë kohës pashmangshëm do të përafrohen pozicionet edhe do të mund të gjendet një zgjidhje” – ka vijuar ai.
Për këtë ka reaguar Ymer Ymeri nga SBAShK-u.
“Nëse jemi duke përdor në një masë të ashpër edhe nuk po reflekton qeveria me masën shumë të ashpër… e me po mendon ti që me bo me e zbutë reflekton (qeveria) a?” – e ka pyetur Ymeri Golën, mirëpo ky i fundit ka theksuar se nuk po u kërkon sindikalistëve që të heqin dorë nga kërkesat e tyre, por ta ndërrojnë mjetin e presionit sindikal.
“Nuk po them me hekë dorë prej kërkesave, por o them me e ndërru mjetin e presionit sindikal që unë në vlerësimin tim si profesionist.. po konsideroj që ka me qenë. Le ta provojmë edhe këtë sepse çfarëdo fitore nëse fëmijët janë në mes nuk ja vlen për shkak se është proces i pakthyeshëm i zhvillimit kognitiv të fëmijëve” – është përgjigjur Gola i cili ka kërkuar që sindikalistët të dalin me një deklaratë për këtë kërkesë pasi ata ta diskutojnë këtë temë në kryesi.
Ndërkaq, Vjollca Shala, nënkryetare SBAShK-ut ka premtuar se kjo kërkesë e Golës do të shqyrtohet.
“Këtë lutjen tuaj për ta diskutuar e anëtarësinë ne natyrisht që do ta bisedojmë me anëtarësinë” – ka thënë ajo.