Aksidenti në Podujevë, 30 ditë paraburgim për shoferin e autobusit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh kundër të pandehurit F.I., i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.

Gjatë ditës së djeshme në magjistralen Prishtinë-Podujevë si pasojë e një aksidenti mes një veture dhe një autobusi, gjetën vdekjen dy persona, burrë e grua dhe janë lënduar rëndë dy fëmijë.

I dyshuari, ndaj të cilit është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë është shoferi i autobusit.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Podujevë, Departamenti i Përgjithshëm Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.I  për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Rrezikim i trafikut publik nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokuroritë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.I, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1muaji.

Tutje në njoftim bëhet e ditur gjykata ka vlerësuar se, masa e paraburgimit është e vetmja masë preventive që të ndikojë tek i pandehuri F.I, në parandalimin e përsëritjes së veprës penale.

“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ka vlerësuar se nëse i pandehurit F.I gjendet në liri ekziston rreziku se i njëjti mund ti asgjësojë, fsheh, ndryshoj apo falsifikoj provat e veprës penale duke ndikuar në dëshmitarë gjithashtu caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton pesha e veprës penale ku si pasojë e aksidentit dy persona kanë ndërruar jetë, andaj masa e paraburgimit është e vetmja masë preventive që të ndikoi te i njëjti në parandalimin e përsëritjes së veprës penale dhe sigurimin e të pandehurit në procedurë dhe zbatimin e suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

I dyshuari ishte arrestuar dje, ndërkaq aksidenti kishte ndodhur në Podujevë në orët e para të ditës së djeshme, rreth orës 04:40.

Lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus”, kishte thënë ajo.

Ahmeti kishte thënë se si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe kanë vdekur.

Sipas Ahmetit, trupat e viktimave, një burrë 36 vjeç dhe një grua 35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Sipas Ahmetit, dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor.