Dy të vdekur nga aksidenti në mes një autobusi dhe një veture në Podujevë

Dy persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e një aksidenti në Podujevë.

Aksidenti ka ndodhur në mes një veture dhe një autobusi në orët e para të ditës së sotme,  rreth orës 04:40.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus”, ka thënë ajo.

Ahmeti ka thënë se si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritur t’i përballojnë plagët dhe kanë vdekur.

Sipas Ahmetit, trupat e viktimave, një burrë 36 vjeç dhe një grua 35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Sipas Ahmetit, dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor.