Aksidenti në Podujevë, arrestohet shoferi i autobusit

Është arrestuar shoferi i autobusit në të cilin është aksidentuar një veturë me targa të huaja, ku të vdekur mbetën dy persona dhe u lënduan dy fëmijë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore nga ana e Prokurorit të Shtetit në koordinim të plotë me policinë, sot, me urdhër të prokurorit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, një person i dyshuar, shoferi i autobusit”, ka thënë Ulaj për KALLXO.com.

Ulaj tha se i dyshuari është arrestuar për shkak të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik me fatalitet”.

“Ndaj rastit po vazhdojnë të ndërmerren veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të të gjitha rrethanave”, njofton Ulaj.

Aksidenti kishte ndodhur në Podujevë në orët e para të ditës së sotme, rreth orës 04:40.

KALLXO.com ka kontaktuar me Drejtorin e Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla ku janë të shtruar fëmijët e lënduar.

Ai ka treguar se fëmijët kanë pësuar lëndime trupore në kokë dhe në gjoks.

“Gjendja është e njëjtë, kanë lëndime ne kokë dhe në gjoks”, ka thënë Syla.

Lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus”, kishte thënë ajo.

Ahmeti kishte thënë se si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe kanë vdekur.

Sipas Ahmetit, trupat e viktimave, një burrë 36 vjeç dhe një grua 35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Sipas Ahmetit, dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor.

Dy fëmijët e lënduar nga aksidenti në Podujevë janë në gjendje stabile