Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dy fëmijët e lënduar nga aksidenti në Podujevë janë në gjendje stabile

Dy persona kanë mbetur të vdekur dhe dy fëmijë të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ndodhi mëngjesin e sotëm në Podujevë.

Aksidenti ka ndodhur në mes një veture me targa të huaja dhe një autobusi në orët e para të ditës së sotme, rreth orës 04:40.

KALLXO.com ka kontaktuar me Drejtorin e Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla ku janë të shtruar fëmijët e lënduar.

Ai ka treguar se fëmijët kanë pësuar lëndime trupore në kokë dhe në gjoks.

“Gjendja është e njëjtë, kanë lëndime ne kokë dhe në gjoks”, ka thënë shkurt Syla. Më herët ai për media kishte deklaruar se gjendja e fëmijëve është stabile.

Lajmin e aksidentit për KALLXO.com e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus”, kishte thënë ajo.

Ahemti kishte thënë se si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe kanë vdekur.

Sipas Ahmetit, trupat e viktimave, një burrë 36 vjeç dhe një grua 35 vjeçe janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Sipas Ahmetit, dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor.

Dy të vdekur nga aksidenti në mes një autobusi dhe një veture në Podujevë